Gjergj Vyshka 28.01.2016 10:05
3.000.000 lekë fondi “grant” nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, kurse trajnerët punojnë me honorare vetëm për 5,000 lekë. Kjo është katandisja e një historie të madhe të një emri. Partizani i shumësportëshit, një legjendë për gjithçka që ka bërë, të paktën në lojërat me dorë e jo vetëm, kërkon ndihmë. Është e llahtarshme ajo që dëgjohet sot nga shefi i klubit shumësportësh Partizani, Shkëlqim Muça, por për vitin 2016 klubi i të kuqve, i strukur në një zyrë në ish-kompleksin Dinamo që dikur ka qenë magazinë, e ka fondin 3.000.000 lekë.
Dhe me këtë fond është e pamundur të paguhen trajnerët, të cilët vijojnë të punojnë me honorare për as më pak e as më shumë, por për 5000 lekë të rinj. E përkthyer ndryshe, për pasion dhe për të mos shuar një emër që ka bërë histori në shumësportëshin shqiptar. Dhe kjo është e vërtetë, sepse volejbolli për femra, shoqëruar me ekipet zinxhir të reja e paratëreja, por deri dhe tek moshat e vogla, mbahet në këmbë nga dëshira e pasioni i Roland Tarjes dhe Marsela Çollakut (Tarja). Basketbolli i meshkujve, apo edhe ekipet zinxhir, kanë dorën e të një tjetri të apasionuari si Elvis Ismeti.
Po të tjerët? Partizani ka vite që nuk ka volejboll për meshkuj. Ka mundje, peshëngritje, atletikë, çiklizëm, karate, gjimnastikë, por dhe ato mbahen me pasionin e trajnerëve. Shkurt Partizani është në ajër. Ka mbetur në derën e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit që nga koha që e lëshoi Ministria e Mbrojtjes, sepse duke qenë në NATO, një dikaster ushtarak nuk mund të kishte klub sportiv. E po kështu nuk llogaritet nga Bashkia e Tiranës, e cila mendon vetëm për bardheblutë, por jo për atë që janë pjesë e kryeqytetit dhe historisë së saj.
Partizani në shumësportësh nuk ka më as mjedise, sepse atje ku ishte dikur klubi gjithçka iu kthye pronarëve, ndërsa në atë palestër të rrënuar bëjnë të gjithë stërvitje. Por që përsëri mund dhe duhet të jetë pronë e Partizanit. Pra Partizanin e shumësportëshit e kanë harruar të gjithë me gjithfarë ngjyrash politike që duhet të kuptojnë se klubi i kuq nuk është vetëm legjendë në futboll, por dhe në shumësportësh. E janë shumë emra të mëdhenj që kanë bërë histori me të kuqtë duke qenë në të njëjtën kohë lavdia e këtij vendi.