AlbanianSport.com 14.10.2015 15:15
ASNN – Portieri Alban Hoxha është shprehur i lumtur për arritjen në “Euro 2016” me Kombëtaren, por tashmë kërkon titullin me Partizanin. Ndonëse rezervë, u bë edhe ai pjesë e historisë. Alban Hoxha, një nga portierët më të mirë shqiptarë të kohëve të fundit, do të shkojë në Euro 2016, në përbërje të kombëtares. Zëvendësuesi i Etrit Berishës, s’mund të ndihet ndryshe përveçse i lumtur.
Ai e ka një synim të madh edhe me klubin e tij, Partizanin. Rivali i madh duket se do të jetë sërish po ai, Skënderbeu. Ndeshja e radhës luhet të shtunën në fushën e Bylisit. Partizani mund të quhet me fat që portën e mbron Alban Hoxha, që në fare pak vite është më i miri i kampionatit, së bashku me kampionin e Skënderbeut, Orges Shehi. Kështu, Alban Hoxha ishte pjesë e ekipi që shkroi historinë për Shqipërinë.
Euforia për kualifikimin në Evropianin 2016 në Francë ende nuk ka kaluar, edhe tani që futbolli ndërkombëtar i ka lënë vendin kampionatit. “Ishte një ëndërr e bukur për të gjithë shqiptarët, – ka deklaruar ai, gjatë konferencës për shtyp të mbajtur sot në zyrat e klubit të kuq në kryeqytet. – Të gjithë ata djem që luajnë në përfaqësuese kanë shkruar historinë. Ende nuk na besohet çfarë kemi arritur.”
“Për këtë, falënderoj trajnerin De Biazi dhe shokët e skuadrës”, – shtoi Hoxha. Nga arritja e jashtëzakonshme me Shqipërinë, te ëndrra e Partizanit për të fituar titullin e parë pas 22 vjetëve “shterpësi”. Ashtu si për objektivin e Kombëtares në fazën e grupeve në Francë, edhe për kampionatin ka ende kohë për bilance. Gjithsesi, kapiteni i të kuqve shprehet optimist.
“Edhe për titullin është ende herët për të folur, megjithëse dihet tashmë që ky është objektivi ynë kryesor, – ka theksuar Hoxha. – Jemi në rrugën e duhur, rezultatet e deritanishme flasin vetë dhe shpresojmë.” Pas pauzës për ndeshjet ndërkombëtare, Partizanin e pret sfida e radhës në Ballsh. Ekipi i Starovës nuk e njeh humbjen në 6 javët e para të Kategorisë Superiore.
Por, nga ana tjetër, Bylisi synon të shfrytëzojë faktorin fushë për të regjistruar suksesin e parë në këtë sezon. “Jo Bylisi, por asnjë ekip nuk është i lehtë, – ka këmbëngulur gardiani i portës së të kuqve kryeqytetas. – Megjithatë, forca e Partizanit dihet dhe kudo që luajmë ne kërkojmë vetëm fitore”.