AlbanianSport.com 30.01.2016 19:35
ASNN – Kryesuesja e renditjes së Kategorisë Superiore, Skënderbeu, është mundur të shtunën pasdreke minimalisht në fushë të huaj nga Vllaznia vendase, në takimin e zhvilluar në Shkodër dhe që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Po pasdreke, Tirana ka fituar 3-1 në Pukë ndaj Tërbunit, ndërsa në mbrëmje, Partizani ka fituar 2-0 në kryeqytet ndaj Laçit.
Me takimin midis Vllaznisë dhe Skënderbeut, që u luajt në Shkodër dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka ngritur siparin java e 19-të e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Ndeshja që u luajt pasdreke në Fushën Sportive “Reshit Rusi” të Shkodrës, i ka mbyllur me rrjeta të paprekura 45 minutat e para.
Ndërsa fati i saj është vendosur në minutën e 65-të, kur i riu Arlind Kalaja ka finalizuar me sukses një aksion të shkodranëve. Vllaznia mposht kështu Skënderbeun 1-0, ndërsa në takimin tjetër, të luajtur pasdreke, Tërbuni është mundur 1-3 në Pukë nga Tirana. Në mbrëmje, Partizani ka fituar 2-0 në kryeqytet ndaj Laçit, me nga një gol të shënuar për secilën pjesë loje.
Dy takimet e tjera të javës së 19-të luhen të dielën dhe, duke nisur nga ora 14:00, Kukësi pret në fushën e vet Bylisin. Ndërsa duke nisur nga ora 17:00, Teuta përballet në Vlorë me Flamurtarin vendas. Renditjen e Kategorisë Superiore e kryeson Skënderbeu dhe Partizani, me nga 43 pikë, ndërsa Tirana mban vendin e 3-të, me 32 pikë, e ndjekur nga Teuta, me 30, dhe Kukësi, me 28.