AlbanianSport.com 22/11/2018 17:45
ASNN – Partizani është duke projektuar një lëvizje të bujshme në merkaton e janarit, por në kampin e kuq duket qartë se në këtë periudhë ruajtja e sekretit është objektiv primar. Dhe nuk ka të bëjë vetëm me emrin e lojtarit që synohet, por edhe me pozicionet ku të kuqtë do të dëshironin të bënin ndërhyrje. Në konferencën e sotme për shtyp, trajneri i Partizanit, Skënder Gega, foli ndër të tjera për emrat e lakuar në media si lojtarë që janë në objektivin e merkatos së dimrit të “Demave”.
Është ende herët të flitet për mera konkretë ende pa ardhur afati kalimtar dimëror, por Gega me takt foli për dy lojtarë që janë pjesë e kampionatit dhe indirekt zbuloi se ku e kishin qëllimin të kuqtë. Ai foli për sulmuesin Majkëll Ngo të Tiranës, një lojtar që vetëm i ka hapur probleme trajnerit Ardian Mema, duke dashur të largohet nga bardheblutë, si dhe për sulmuesin vlonjat të Luftëtarit Vasil Shkurtaj, i cili ka befasuar me lojën dhe golat e tij në këto javë të zhvilluara në Superiore.
“Asnjëherë nuk kam pasur interes për Ngonë, – tha Gega para gazetarëve. – Në TV u pyeta për ata dy. Shkurtajn e njoh dhe e kam drejtuar e kam opinion pozitiv. Kurse për Ngonë kemi të bëjmë me karakteristikë fizike dhe me gjatësinë që kishte, mund të ishte diçka që mund të na dëmtonte dhe nuk jemi interesuar asnjëherë. Për respekt nuk duhet ngacmuar dhe duhet lënë aty ku është”, – përfundoi Gega, duke e kuptuar se çdo tentativë për të arritur marrëveshje me Tiranën për lojtarët kryesorë do të sillte debate dhe përplasje mes tifozerive.