AlbanianSport.com 24/01/2019 22:25
ASNN – Skënder Gega bën “llogaritë” e Partizanit pas fazës përgatitore dhe në prag të duelit me Skënderbeun. Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, doli të enjten para gazetarëve në një konferencë për shtyp, ku bëri një analizë të ecurisë së skuadrës në fazën përgatitore dimërore dhe shpalosi objektivat e grupit në prag të duelit të parë të këtij viti në kampionat, ndaj Skënderbeut, duel që do të luhet ditën e premte në Korçë. Trajneri i skuadrës së kuqe foli gjatë, pothuajse për të gjitha çështjet, që nga merkato, gjendja e grupit, lëvizjet, potenciali, ambiciet dhe natyrisht rivaliteti me Kukësin për titullin e këtij edicioni.
“Pas fazës përgatitore kemi bërë analizë dhe kemi pasur fazë mjaft të mire, – theksoi trajneri Gega, – në ato ndeshje morëm maksimumin dhe jemi në rrugën e duhur. Me të afruarit jam i kënaqur por ia lëmë kohës. Nesër është ndeshje tjetër dhe mendoj vetëm për nesër e jo më gjatë.” Në lidhje me duelin ndaj Skënderbeut të premten, trajneri Gega u shpreh: “E kemi pasur problem me Skënderbeun dhe nuk kemi marrë maksimumin nga loja e bërë. Shpresoj të kemi limite në gabime dhe mos të ndëshkohemi në momente të veçanta. E vlerësojmë Korçën dhe e njohim mirë edhe pse nuk është ai Skënderbe që ka qenë.”
“Kështu funksionon futbolli por jemi të përqendruar te vetja jonë dhe në Korçë shkojmë të bëjmë atë që duam, – ka vijuar ai. – Jam i kënaqur me impenjimin. Nuk kishte asnjë shenjë futbolli nga terreni që është atje, por ne i kuptojmë gjërat. Më mbushi me optimizëm dëshira dhe serioziteti i grupit. Pritën organizimin në atë terren të vështirë por jam i kënaqur. Kemi 25 lojtarë dhe që nga dita e parë jam munduar t’i vlerësoj të gjithë. Është proces i vazhdueshëm dhe është e rëndësishme që të kuptojnë se ai që bën diferencën është titullar.” Nuk kishte si të mungonte komenti i trajneri Gega për merkaton e bërë nga skuadra e kuqe në këtë periudhë kalimtare dimërore.
“E mira s’ka fund, – sqaron trajneri i “Demave të kuq”, – këta që kanë ardhur i kemi pritur siç e kemi zakon, si me kualitet që janë. Deri më 31 janar, klubi po punon dhe shpresoj të sjellin dikë me na dhënë më shumë shtysë, pa hequr punën e grupit që ka qenë. Kam dëgjuar dhe kam lexuar shumë gjëra sa i përket dëshirave të mia, por nuk kam shprehur. Lum Rexhepi dhe Duka kanë qenë dëshirat e mia dhe i kemi sjellë edhe të tjerë, e shpresoj të mos kemi gabuar. Humbja nuk është sukses. Karshi Skënderbeut dy rezultatet e tjera pranohen. Është skuadër që ka kualitet dhe jemi përgatitur por ia lëmë fushës.”
“Të jem i sinqertë, – vijoi trajneri i Partizanit, – nga qershori e deri sot kanë qenë ditët më të mira. Kam punuar edhe jashtë ku kam marrë më shumë para, por tani jam më shumë i kënaqur dhe mirënjohës kundrejt klubit e tifozëve dhe jam i lumtur që po vazhdojmë projektin. Pa dashur të krijoj mosrespekt ndaj kundërshtarit, e kemi merituar pasi jemi në vendin e parë. Synimi im është fundi i kampionatit dhe aty e shoh nëse kemi bërë mirë apo jo. Kemi nxjerrë konkluzione dhe shpresoj që nesër të korrigjojmë gabimet e të japim më tepër.” Më tej trajneri i Partizanit komentoi aleancat e pritshme në garë, nisur dhe nga përvoja e viteve të shkuara, por edhe vështirësitë që do të dalin gjatë rrugës.
“E di që çdo kundërshtar e vlerëson Partizanin pasi kemi vlera”, – tha Gega, i cili, më pas vijoi: “Po të mos ishte kjo. Vlerat do të zbeheshin. Nuk na japin vetëm ndeshjet e UEFA-s adrenalinë dhe nëse kundërshtari luan ndaj nesh më fort se ndaj tjerëve, na jep vlera dhe e shoh pozitive. Në fillim nuk e njihja grupin dhe doja të krijoja fizionominë që doja të bëja. Nuk jemi absolut dhe jo çdo zgjedhje ka qenë të përkryera. Dua t’i jap çdokujt atë që meriton dhe nga ajo që kemi dhënë jemi këtu. Jam në shtëpi time dhe jam nga të rrallët që jam në familje. Kontrata nuk ka qenë shqetësuese. Pashë që kontratat ishin faraonike dhe me flori.
“Pashë edhe Dukën të larë me flori, por nuk ka flori në Shqipëri, – shtoi ai. – Nuk janë shifrat ato që publikohen.” Përplasja me Skënderbeun është shumë e veçantë në këtë fazë dhe këtë e ka parasysh edhe trajneri i kuq. “Është ndeshje direkte dhe kemi edhe 18 ndeshje, – tha Gega. – Unë dua ta çoj ekipin aty ku duhet dhe nëse e marrim 3 pikërisht jam komod, por nëse ndodh e kundërta duhet të ngrihemi. Duhet ta marrim çdo javë një nga një.” Padyshim, një vend të veçantë në këtë konferencë shtypi ka për trajnerët rivalë dhe sidomos ekipin që shihet si rivali kryesor, Kukësin, tekso thotë: “Sa i përket presidentit Gjici, nuk mund të them gjë.”
“Pasi nuk i përcaktoj dot unë “gjunjët” e Kukësit dhe shoh ekipin tim, – vijon trajneri i të kuqve. – Ai ka folur për gjunjët tonë, por besoj se i kemi të fortë.” Në fund fare, trajneri i Partizanit flet për duelin e së premtes me Skënderbeun, duke thënë se e gjithë vëmendja e tij dhe e grupit është tek ky takim. Madje Gega thotë se nuk duhet besuar që Skënderbeu me 5 mungesa do të jetë më i dobët se herët e tjera. “Unë do të hyj në lojë sikur ka 5 pluse dhe 5 mungesa, – thekson ish-trajneri i skuadrës kombëtare të Nën-21-vjecarëve të Shqipërisë. – Nuk kemi pse flemë pasi Skënderbeu është ekip i mirë edhe me 5 mungesa.”
“Duhen marrë të gjitha skuadrat seriozisht dhe nëse dikush mendon ndryshe, nuk ka lidhje me futbollin”, – përfundoi fjalën e tij në konferencë për shtyp, trajneri i skuadrës së kuqe, Skënder Gega.