AlbanianSport.com 21/01/2019 22:40
ASNN – Trajneri Skënder Gega raportohet se do të rinovojë kontratën e tij me klubin e Partizanit, një rinovim me 18 muaj, të paktën kështu pretendohet në kampin e kuq. Palët nuk kanë firmosur ende, por mësohet se është arritur marrëveshja paraprake. Natyrisht, kjo është një lëvizje taktike e zgjuar e klubit, sepse Partizani është në krye të renditjes.
Dhe ka premisa të mira për të fituar titullin këtë edicion, një titull që do të vinte tek skuadra e kuqe pas plot 26 vjetësh “thatësirë”. Bëhet fjalë për një rinovim kontrate dhe në bazë të kësaj marrëveshjeje, Skënder Gega do të qëndrojë në krye të stolit të të kuqve deri në qershor të vitit 2020. Kuptohet, shumë gjëra do të varen nga përfundimi i këtij edicioni.
Por një lëvizje e tillë e klubit ka domethënie, për më tepër që vjen në një moment kur nga brenda “demave” kishin nisur të qarkullonin zëra se Gega nuk e kishte të gjatë në krye të Partizanit. Në fakt, nën drejtimin e trajnerit Skënder Gega Partizani ka grumbulluar në 18 javë garë 37 pikë, 3 më shumë sesa Kukësi i vendit të dytë dhe 4 pikë më shumë sesa Teuta e vendit të tretë.
Pra të kuqtë janë në vend të parë pas dy fazave dhe objektivi është të mbajnë këto pozita dhe kryesimin edhe në dy fazat e tjera të kampionatit. Sipas specialistëve, ky është sezoni ku Partizani shihet realisht si pretendent për titullin, nisur nga kompaktësia e grupit, mbrojtja e çeliktë dhe njëherësh një staf teknik me ide të qarta të lojës.