AlbanianSport.com 19.10.2014 18:00
ASNN – Partizani ka fituar 1-0 me Vllazninë në Shkodër, në ndeshjen e vlefshme për javën e 8-të të Kategorisë Superiore. Për kryeqytetasit golin e vetëm e ka realizuar Mazrekaj. Tashmë Partizani ngjitet në krye të renditjes me 15 pikë po aq sa edhe Tirana. Ndërsa në sfidën tjetër, Apolonia ka mundur Teutën 1-0.
Java e 8-të e Kategorisë Superiore është mbyllur me ndeshjet Vllaznia-Partizani dhe Apolonia-Teuta. Partizani ka fituar 1-0 me Vllazninë, në një ndeshje të zhvilluar pa tifozë në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër. Falë golit të realizuar nga Mazrekaj, skuadra kryeqytetase ka marrë tri pikë dhe ngjitet në krye të renditjes së Kategorisë Superiore me 15 pikë po aq sa edhe Tirana.
Në ndeshjen tjetër, Apolonia i ka marrë tri pikë të çmuara Teutës. Skuadra fierake kalon në epërsi me anë të Karakaçit që shënon që në minutën 20-të të pjesës së parë. Tashmë Apolonia dhe Teuta ndajnë vendet e 7-të dhe të 8-të, me pikë të barabarta, nga 7 secila.
Ndërkohë që në ndeshjet e luajtura më parë Flamurtari ka barazuar 1-1 me Skënderbeun, Elbasani është mundur 0-2 nga Laçi, ndërsa Tirana ka fituar 3-1 me Kukësin, në një ndeshje ku nuk munguan golat spektakolarë të realizuar nga futbollistët kryeqytetas.