AlbanianSport.com 05.04.2016 08:35
ASNN – Partizani, ky emër i madh i sportit shqiptar, festoi 70-vjetorin e krijimit të tij. Në një atmosferë të ndezur, të krijuar nga tifozeria e kuqe, është zhvilluar në Pallatin e Kongreseve në kryeqytet, një ceremoni festive. Janë kujtuar kampionë të ndarë nga jeta si dhe janë nderuar me medalje kampionë ndër vite, të cilët i kanë dhënë këtij klubi tituj e medalje të shumta. Kështu, Partizani shkruan 70 vite histori.
Jo vetëm në futboll, por në atletikë, shah, mundje, basketboll, volejboll, qitje, peshëngritje, çiklizëm etj, sportistët e klubit të kuq kanë marrë medalje të shumta, tituj “kampionë” e Kupa të Shqipërisë. Drejtuesit e klubit Partizani, kanë organizuar një ceremoni festive me rastin e 70-vjetorit të krijimit të klubit.
Të ftuar ishin Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, Presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar, Viron Bezhani, presidenti i Partizanit, Gaz Demi, kampionë ndër vite që kanë veshur bluzën e Partizanit. Më pas janë shpërndarë edhe medaljet për sportistët veteranë, aktualë dhe tifozët e klubit të Partizanit.
Nuk ka munguar si gjithnjë tifozeria e zjarrtë e klubit të kuq që e mbështet skuadrën e zemrës gjithnjë.