AlbanianSport.com 29.10.2015 14:25
ASNN – Partizani luan të dielën ndaj Teutës, ndeshje kjo e vlefshme për javën e 9-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Të kuqtë e trajnerit Starova kërkojnë fitoren ndaj durrsakëve për të ruajtur pozitat në kreun e renditjes. Synimet e tij, Partizani i ka shprehur sot nëpërmjet mbrojtësit të vet, Arbnor Fejzullahu.
Kryesuesja e Kategorisë Superiore të Kampionatit të 77-të Kombëtar të Futbollit, të kategorisë superiore, Partizani, luan këtë fundjavë kundër Teutës. Pas fitores 2-1 në javën e kaluar ndaj Skënderbeut, të kuqtë e trajnerit Starova kërkojnë rezultatin pozitiv edhe ndaj durrsakëve.
Kështu është shprehur, mbrojtësi i Partizanit, Arbnor Fejzullahu. “Tre përballjet e radhës të cilat do t’i luajmë jashtë kryeqytetit mendoj që vijnë në një moment shumë të rëndësishëm për ne, – ka thënë ai. – Tani fillon kampionati dhe ju do të shihni Partizanin e vërtetë. Siç e kemi treguar në këto 8 javë, me fitore, ashtu shpresoj të vazhdojmë.”
“E vlerësojmë ekipin e Teutës, por për të dalë kampion duhet të ikim atje për të marrë fitoren, – ka theksuar Fejzullahu. – Skuadra gradualisht po rritet, duhet të përmirësohemi akoma më shumë për të arritur objektivat tona.”
“Pavarsisht fitores me Skënderbeun duhet të jemi me këmbë në tokë, të vazhdojmë siç kemi bërë deri tani, nuk duhet të jemi aspak euforik, – ka këmbëngulur mbrojtësi i të kuqeve kryeqytetas. – Përtej pozicionit tim në fushë, unë do të jap më të mirën time.”
“Është trajneri ai që vendos se ku duhet të kontribuoj, – ka pohuar ai. – Ndryshe nga ekipi i sezonit të kaluar, këtë vit mendoj se kemi treguar të kthejmë rezultatin, japim shpirtin në fushë. Ndërsa përsa i përket të ardhmes së tij, Fejzullahu ka thënë: “Sa i përket merkatos, është akoma herët për të folur.”
“Për momentin jam te Partizani, më vonë të shohim, nuk kemi asgjë konkrete” – përfunduar ai. Ndeshja Teuta-Partizani luhet të dielën në orën 17.00 në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.