AlbanianSport.com 18.02.2015 21:15
ASNN – Veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, ka luajtur sot ndeshjet e kthimit të çerekfinaleve, nga ku janë njohur edhe 4 skuadra gjysmëfinaliste, që janë Skënderbeu, Kukësi, Laçi dhe Tirana. Surpriza e kësaj faze ka qenë eliminimi i turpshëm i Partizanit, i cili pavarësisht fitores 2-0 në ndeshjen e parë, është mundur 3-0 në Laç.
Një ndeshje e fituar lehtë nga vendasit, aq sa janë ngritur dyshime të forta për tolerim nga ana e Partizanit. Të kuqtë shkaktojnë brenda dy 11-metërsha brenda dy minutave, nga të cilët u realizua vetëm njëri dhe mbeten me 10 lojtarë, ndërkohë që për minutat e mbetura deri në shtesën e 118-të kur pësoi edhe dy golat e tjerë, ka treguar pak interes për lojën.
Një paraqitje e dobët kjo, për të mos thënë më shumë për skuadrën e Partizanit, emri i së cilës tashmë përflitet për aleanca, në rastin më të mirë, dhe dyshime shumë të forta për tolerim rezultati. Ndërkohë, në Korçë vendasit e Skënderbeut kanë mundur 3-1 Flamurtarin duke kaluar më tej. Ajo që vlen të përmendet për këtë ndeshje padyshim është goli spektakolar nga mesi i fushës i kapitenit Bledi Shkëmbi.
Ndërkohë, dy golat e tjerë u shënuan nga Osmani dhe Berisha. Nga ana e saj, Tirana ka mundur 3-0 në ndeshjen e kthimit në Fier Apoloninë. Kryeqytetasit, ndryshe nga ndeshja e parë, kanë luajtur me formacionin bazë që në fillim duke dominuar lojën dhe për asnjë moment nuk i dhanë mundësinë kundërshtarit që t’i rrezikonte kualifikimin e mëtejshëm.
Në ndeshjen tjetër, atë mes Kukësit dhe Vllaznisë, verilindorët janë kualifikuar falë rezultatit të ndeshjes së parë pasi në Kukës gjithçka përfundoi në barazim pa gola. Kukësi ia ka dalë ta ruajë fitoren e para dy javëve, atë 2-0 që arriti në Shkodër ndaj Vllaznisë, duke marrë një barazim pa gola sot në fushën e vet. Sa i përket çifteve gjysmëfinaliste, pritet të hidhet shorti, ndërkohë që ndeshjet do të luhen në muajin prill.