AlbanianSport.com 10/04/2021 19:25
ASNN – Partizani fiton edhe ndeshjen e dytë të finales së “play-off”-it të titullit në Kampionatin Kombëtar të Volejbollit për Femra. Takimi i 3-të, të hënën, në sallën kryesore Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, duke nisur nga ora 18:00. Kështu, Partizani e mposhti 3-0 Tiranën në finalen e dytë të “play-off”-it të rrjetës së vajzave, duke udhëhequr 2-0 me ndeshje.
Të kuqet e kryeqytetit, të drejtuara nga trajneri i ri, Andi Lundra, janë vetëm një fitore larg titullit “kampion”, titull që mund të vijë pas 48 orësh, në përballjen e 3-të mes këtyre dy ekipeve. Siç dihet, “kampione” shpallet skuadra e cila fiton 3 nga 5 finalet e planikuara. Por, duke gjykuar nga paraqitja në dy ndeshjet e para, sidomos në atë të së shtunës, Tirana ka përballë një mision thuajse të pamundur për të përmbysur.
Sfida e sotme, thuajse ishte një formalitet për të “kuqtë” e trajnerit Lundra, që e mbizotëruan ndeshjen. Dy setet e para fituan me shumë lehtësi nga Partizani, 25-13 i pari dhe, sidomos, i dyti, 25-8, çka tregon për epërsinë e këtij ekipi. Tirana përpiqet të rivalizojë në setin e 3-të, por pas pikës së 20-të humbet terren dhe Partizani e fiton atë 25-22 e krejt takimin 3-0.