AlbanianSport.com 04.03.2015 21:00
ASNN – Partizani ka fituar me Flamurtarin në ndeshjen e javës së 25-të të Kategorisë Superiore, një ndeshje kjo që u transmetua drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit shqiptar. 3 pikë të vlefshme këto për skuadrën kryeqytetase, që ngjitet tashmë në kuotën e 47 pikë, po aq sa Tirana.
Skuadra kryeqytetase ka arritur të marrë kështu një fitore mjaft të rëndësishme sot përballë vlonjatëve e cila e ndihmon që të qëndrojë sa më afër kreut të renditjes. Të kuqtë e drejtuar nga Duro kanë arritur të përmbysin rezultatin e pjesës së parë duke shënuar dy gola në pjesën e dytë dhe duke arritur suksesin e radhës.
Një Flamurtar i çuditshëm në pjesën e dytë ku ka lëshuar shumë terren ndaj kundërshtarit. Edhe pse shënuan të parët me Bruno Telushin në pjesën e parë dhe e mbyllen këtë fraksion të lojës në epërsi, djemtë e Ramelës nuk kanë arritur dot të administrojnë rezultatin dhe i kanë lejuar Partizanit të shënojë dy herë, duke përmbysur.
Ndeshja nis më mirë për Flamurtarin që kalon në epërsi me anë të Telushit. Futbollisti i Flamurtarit gjuan sakte brenda zonës duke befasuar portierin Alban Hoxha. Duhej të vinte minuta e 35-të që Partizani të krijonte rastin e parë dhe të vetëm gjatë pjesës së parë kur Emiljano Vilës gjuan brenda zonës së Flamurtarit.
Por pjesa e dytë fillon më mirë për skuadrën kryeqytetase që gjen barazimin me anë të Rrahmanit. Partizani është më i saktë në lojën e tij, ndërsa Flamurtari nuk arrin të organizohet. Në të 77-tën minutë Raçiç shënon golin e dytë për të kuqtë. Sulmuesi serb gjuan saktë brenda zonës dhe 2-1 për Partizanin.
Pas dy minutash Flamurtari mbetet me 10 lojtarë. Arbitri Alla ndëshkon Polizoi Arbrin me karton të kuq pas ndërhyrjes ndaj Fazlliut. Në këto çaste të mira, Partizani për pak shënon golin e tretë. Gjuan Raçiç me kokë, por mbrojtësi i Flamurtarit Tomiç largon topin në vijën fatale.
Me fitoren e sotme, Partizani ngjitet në kuotën e 47 pikëve duke u barazuar me Tiranën, ndërsa të dyja rivalet kryeqytetase kanë luajtur një ndeshje me pak. Ndërkohë Flamurtari me humbjen e sotme vijon të mbetet në kuotën e 34 pikëve. Në ndeshjet e tjera të luajtura në mesditë, Kukësi ka mundur Teutën me rezultatin 5-2, ndërsa Laçi ka fituar 1-0 me Vllazninë.
Ndërsa në takimin e mbrëmjes, Skënderbeu ka mundur minimalisht Tiranën në Korçë, duke ruajtur hapin me Kukësin kryesues. Java e 25-të e Kategorisë Superiore mbyllet të enjten, me takimin e pasdrekës midis Elbasanit dhe Apolonisë. Renditjen e Kategorisë Superiore e kryeson Kukësi, me 52 pikë, një më tepër sesa ndjekësja më e afërt, Skënderbeu, ndërsa Tirana dhe Partizani kanë nga 47 pikë.
Kategoria Superiore
Java e 25-të
Të mërkurën, 4 mars 2015:
PARTIZANI – FLAMURTARI 2-1
Shënues: Rrahmani 57’, Raçiç 78’ / Telushi 21’
Stadiumi “Niko Dovana”, Durrës
KUKËSI – TEUTA 5-2
Shënues: Malota 33’, Pejiç 51’, 84’,
Pit 54’, 68’ / Kastrati 47’ Nika 58’
Stadiumi “Ymer Zeqiri”, Kukës
LAÇI – VLLAZNIA 1-0
Shënues: Veliaj 25’
Stadiumi i Laçit
SKËNDERBEU – TIRANA 1-0
Shënues: Shkëmbi 65’(11-m.)
Stadiumi “Skënderbeu”, Korçë
Të enjten, 5 mars 2015:
Elbasani – Apolonia (14:00)
Stadiumi “Gjorgji Kyçyku”, Pogradec
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Kukësi 25 16 4 5 38-18 52
- Skënderbeu 25 16 6 4 34-11 51
- Tirana 24 14 5 5 30-16 47
- Partizani 24 14 5 5 23-13 47
- Laçi 24 11 8 5 29-15 41
- Flamurtari 24 9 7 8 22-16 34
- Vllaznia 25 9 3 13 22-28 27
- Teuta 25 6 1 18 23-41 19
- Elbasani 24 4 1 19 13-42 13
- Apolonia 24 2 4 18 6-40 10