AlbanianSport.com 11.04.2015 16:05
ASNN – Skënderbeu-Partizani është ndeshja më e rëndësishme e javës së 30-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që do të luhet të hënën në Korçë. Një takim ky që fituesit i jep më shumë shpresë për të qenë më pranë me titullin, por, për trajnerin e ekipit kryeqytetas Shpëtim Duro, gara për trofe do të vazhdojë deri në javën e fundit.
“Çdo rezultat që do të jetë në Korçë, lufta do të vazhdojë mes 4 skuadrave deri në fund, pasi menjëherë do të kemi një kundërshtar tjetër si Kukësi”, – ka deklaruar trajneri i Partizanit, gjatë konferencës së sotme për shtyp. “Barazimi është pozitiv pasi kemi përballë një nga ekipet më të mirë të viteve të fundit në Shqipëri”, – ka theksuar Duro në vijim.
Diferenca mes dy ekipeve është vetëm 1 pikë, ndërsa 4 ekipet e para janë shumë pranë njëri-tjetrit, duke e kthyer kampionatin tepër interesant. Korçarët që brenda pak ditësh humbën kreun dhe ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë vijnë në këtë sfidë me moralin “përtokë”, por trajneri i të kuqve kryeqytetas, Shpëtim Duro kërkon përqendrim nga lojtarët e tij.
Ai vlerëson punën e bërë nga grupi i tij gjatë kësaj jave duke e pranuar se ndeshja e Korçës do të jetë një test i vërtetë për sezonin. “Jemi stërvitur mirë gjatë kësaj jave edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë që prej ndeshjes së fundit që kemi luajtur me Apoloninë të shtunën, – ka pohuar ai. – Kam besim te kjo skuadër, por tani vjen edhe pjesa më e vështirë e sezonit.”
Gjithsesi 55-vjeçari nuk pranon të firmosë për një barazim, por shton se kjo është një ndeshje e hapur me të tri rezultatet dhe humbja e njërës skuadër nuk do të thotë dalje nga gara për titullin. “Kjo ndeshje i ka të tri rezultatet brenda por edhe nëse dalim me një rezultat negativ nuk do të thotë se do të jemi jashtë luftës për titull”, – ka thënë trajneri i Partizanit.
Partizani nuk fiton në Korçë prej vitit 2008. Në ndeshjen e fundit të luajtur në Korçë, Partizani pësoi një humbje të thellë por siguron se kjo është një histori tjetër. “Unë besoj shumë te ky grup edhe pse Skënderbeu mbetet një kundërshtar i fortë, – ka përsëritur kreu i stolit të kuq. – Kjo ndeshje nuk ngjan me atë të fazës së dytë ku ne zbritëm në fushë me shumë mungesa.”
Kukësi-Laçi është ndeshja tjetër që tërheq vëmendjen në javën e 30-të të Kategorisë Superiore. Edhe ky takim do të luhet të hënën në ora 15:00. Ndërsa 3 përballjet e tjera do të luhen të dielën.