AlbanianSport.com 13.02.2015 07:55
ASNN – Partizani udhëton drejt Kukësit për ndeshjen e radhës të vlefshmepër kampionatin e kategorisë superiore. Për këtë sfidë trajneri i të kuqve, Shpëtim Duro nuk do të ketë Mazrekaj dhe Raçiç. Edhe pse ka fituar në dy sfidat e para ndaj Kukësit, trajneri Duro synon tri pikët edhe në këtë takim.
Partizani do të luajë të shtunën, sfidën e vështirë ndaj Kukësit. Trajneri i të kuqve, Shpëtim Duro nuk do të ketë në dispozicion dy lojtarë kryesorë si Mazrekaj dhe Raçiç, por ai thekson se ka 20 lojtarë të tjerë tek të cilët ka besim të plotë se mund të luajnë mjaft mirë.
Shpëtim Duro e mban hapur garën për titull, kur thotë se trofeu do të vendoset nga përballjet direkte. Në fakt, diferenca me rivalët e tjerë për titullin “kampion” nuk e frikëson. Më shumë se tabelës së renditjes së Kategorisë Superiore i beson forcës së skuadrës së tij.
Barazimi pa gola në ndeshjen e fundit kundër Skënderbeut i lejoi kryesuesëve të thellojnë në tri pikë diferencën, por për trajnerin Partizani vazhdon të jetë bindshëm në garën për titullin kampion. Madje Duro thotë se shkon në Kukës me besim se skuadra e tij do të fitojë.
Trajneri i të kuqve kryeqytetas thotë se vendimtare do të jenë përballjet direkte. “Harrojeni spektaklin”, – ka thënë Duro, i cili, ashtu si ndaj Skënderbeut, pret një sfidë taktike. Ndeshja Kukësi-Partizani do të luhet ditën e shtunë, duke nisur nga ora 14:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.