AlbanianSport.com 23.10.2015 18:05
ASNN – Partizani-Skënderbeu është ndeshja kryesore e javës së 8-të të Kategorisë Superiore. Të dyja skuadrat janë në krye të renditjes me 19 pikë të barabarta dhe secila vjen me pretendimin për të ruajtur pozitat kryesuese.
Drejtori i klubit kryeqytetas, Dritan Dervishi ka theksuar gjatë një konference për shtyp se i druhet faktit se si do të luajë skuadra e tij në këtë sfidë. Java e 8-të e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit do të ketë në fokus, ndeshjen me të rëndësishme, atë midis Partizanit dhe Skënderbeut.
Kjo për faktin se të dyja skuadrat janë në krye të renditjes me 19 pikë të barabarta dhe ende nuk kanë pësuar asnjë humbje në këto 7 javë të para të kampionatit.
Edhe pse ka vendosur heshtje shtypi, klubi i “Partizanit” ka vendosur të prononcohet me anë të drejtorit të përgjithshëm, Dritan Dervishi, për sfidën e rëndësishme me Skënderbeun.
Ai ka theksuar se nuk e quan si favor që skuadra korçare vjen e lodhur nga ndeshja me Sportingun, e vlefshme për fazën në grupe të Ligës së Evropës. Dervishi ka thënë se I druhet vetëm skuadrës së tij.
Ndeshja Partizani-Skënderbeu do të luhet të dielën në orën 19.00 në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në Tiranë.