Adriatik Balla 30.05.2015 17:40
Sulejman Starova është trajneri i ri i Partizanit. Ky është vendimi i presidentit Gazmend Demi pas dorëheqjes së Shpëtim Duros nga drejtimi i 15 herë kampionëve. Starova, i cili mban edhe detyrën e drejtorit të përgjithshëm në klubin e kuq, është dhe trajneri i fundit që i ka dhënë një titull Partizanit, 22 vjet më parë në sezonin 1992-1993.
Presidenti Demi e ka ngarkuar Starovën për ndërtimin e skuadrës që do të marrë pjesë në turin e parë eliminator të Ligës së Evropës, atje ku Partizani rikthehet pas shtatë vitesh. Starova është një emër i njohur në mjedisin e trajnerëve shqiptarë e sidomos atyre kryeqytetas.
59-vjeçari ka fituar edhe titullin “kampion” me Tiranën e sezonit 2004-2005. Përveç Partizanit dhe Tiranës, Sulejman Starova ka drejtuar edhe Besën e Kavajës, Teutën e Durrësit dhe Kukësin. Ai ka qenë për një periudhë 7-vjeçare edhe Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit.
Prezantimi i Starovës u bë dje nga presidenti Gazmend Demi në mjediset e klubit. I mbiquajtur “Bobi”, Starova do të ketë mundësinë të drejtojë ekipin në Ligën e Evropës dhe në sezonin e ardhshëm, për të menduar të përsërisë suksesin që pati me të kuqtë në vitin e largët 1993, vit kur Partizani fitonte titullin për herë të fundit.