AlbanianSport.com 25/10/2021 24:00
ASNN – Trajneri i Partizanit, Ilir Daja, nuk e ka fshehur zhgënjimin e tij, teksa ka deklaruar se humbja në derbin me Tiranën erdhi për shkak të një episodi të vetëm. Ai ka pranuar për mediat pas sfidës se 11-metërshi që vendosi duelin qëndronte, por ndërkohë theksoi se ekipi i tij kishte zhvilluar më shumë lojë se sa bardheblutë. “Kemi humbur një derbi ku ka qenë një episod që më vjen keq që një mbrojtës me përvojë si Belica pa rrezikshmëri në atë situatë, sulmuesi me kurriz dhe është me kohë vonesë, – ka thënë ai fillimisht.
“Na vjen sinqerisht keq, nuk dua të justifikohem për mungesat që kishim se pavarësisht se nuk kemi qenë ku duhet në mbështetjen në zonën e golit, – ka vijuar trajneri i të kuqve kryeqytetas. – Por, pothuajse në 90 minuta e kemi mbajtur ekipin kundërshtar në gjysmëfushën e vet. Do të thoja që nëse ne nuk do të kishim bërë gjë në derbi në raport me Tiranën do të thosha që kjo dozë e shtuar nga ana psikologjike sigurisht do të ndikonte. Por të vjen keq të humbësh një derbi me një 11-metërsh të tillë me lojtarë që janë të rinj.
“Disa e kishin për herë të parë derbin, me një moshë mesatare shumë të re, qoftë ata të formacionit, qoftë ata nga stoli, për arsye edhe të mungesave që kishim, – ka theksuar 55-vjeçari. – Por besoj që do të dalim nga kjo gjendje, mosmarrje rezultatesh, se në fund fare, asnjë nga ekipet nuk na ka dominuar. Kemi gjëra për të rregulluar por do të thosha vetëm për një pjesë të parë që Kukësi ishte dominues ndërsa në gjithë lojërat e tjera, në pjesën më të madhe të minutazhit kemi qenë ne që dominuam.”
“Dhe kjo na jep shpresë që ndoshta rikuperimi i pikëve mund të na japë qetësi dhe të shkojmë aty ku pretendojmë me grupin që kemi, – ka këmbëngulur Daja. – Nëse ne nuk do të kishim bërë edhe gabim që bëmë sot, do të kishim shumë më tepër pikë. Nëse do të shfrytëzonim raste para portës, se jemi ekipi që godasim më shumë portën kundërshtare, do të thosha që do të kishim shumë më tepër pikë se sa kemi se janë fitore të munguara që nga e para e deri më sot. Do të mundohemi të rikuperojmë me pikë në pozicionin që kemi në renditje”, – ka përfunduar trajneri i Partizanit.