AlbanianSport.com 22/02/2020 21:25
ASNN – Trajneri italian i të kuqve kryeqytetas dhe futbollisti afrikan i ballshiotëve analizojnë ndeshjen. Një ndeshje që u vendos rreth episodit të dëmtimit të Trashit dhe për më tepër, nga mënyra e pësimit të golit të parë. Ky ishte thelbi i analizës që trajneri i Partizanit, Adolfo Sormani, bëri pas barazimit 2-2 të shtunën me Bylisin.
Për italianin e stolit të të kuqve kryeqytas, skuadrës i mungoi aftësia për ta vrarë ndeshjen. Sormani shpreson që skuadra të ketë nxjerrë mësime. Përtej polemikave për golat, tanimë, trajneri i Partizanit e ka zhvendosur vëmendjen tek derbi me Tiranën. Ndërkaq, shënuesi i golit të barazimit, Saliu Guindo, e ka quajtur që çmuar pikën e marrë me Partizanin.
“Që të themi të vërtetën, ishte shumë shumë e vështirë, por, lavdi Zotit, morëm një barazim, – ka thënë ai. – Ishte e vështirë, por të paktën morëm një pikë ndaj njërës prej skuadrave më të mëdha në Shqipëri, kështu që jemi mirë.” Futbollisti 23-vjeçar i Bylisit ka vlerësuar shpirtin e skuadrës, që gjeti forca të reagojë përtej pësimit të dy golave të shpejtë.
“Padyshim që ishte e vështirë të gjendeshim aq shpejt në disavantazh të dyfishtë, por ne besuam deri në fund dhe këtë ia përsëritëm vetes edhe në pushimin e ndeshjes, – ka pohuar Guindoja. – Duke patur parsysh cilësinë që kemi në skuadër, ne e dinim se mund t’ia dilnim dhe, fatmirësisht, erdhi edhe goli i dytë. Për sulmuesin afrikan nga Mali, goli i barazimit ishte i rregullt.
“Nuk jam unë ai që mund të gjykoj mbi këtë rast. Nga pozicioni që isha unë, ai ishte gol i rregullt dhe kështu vendosi edhe gjyqtari, kështu që nuk më mbetet shumë për të thënë”, – ka përfunduar shënuesi i golit të barazimit, futbollisti afrikan i ballshiotëve, Saliu Guindo,