AlbanianSport.com 12/11/2018 13:10
ASNN – Portieri i Partizanit Alban Hoxha ka vendosur ta mbyllë karrierën e tij vetëm me një skuadër, Partizanin. Edhe pse në karrierën e tij ka pasur mjaft oferta, ato kanë dështuar për shkak se klubi i kuq ka kërkuar shumë para. Tani, me kalimin e viteve, Hoxha beson se mund të luajë për Partizanin të paktën edhe 8 vjet të tjera dhe ta mbyllë karrierën e futbollistit në Shqipëri.
Duke folur për programet televizive shqiptare, Hoxha analizoi edhe situatën aktuale në kampionat, synimet e Partizanit për titull që ai e sheh të mundshëm këtë vit, por edhe raportet e vështira që ai pati sezonin e kaluar me stafin italian të Partizanit dhe enkas Luçiano Moxhin. “Ka pasur disa oferta, – ka rrëfyer Hoxha. – Ndoshta nga momenti im i mirë, klubi ka kërkuar pak më shumë para.”
“Ndaj janë prishur 3 oferta që kanë qenë reale, janë prishur për shumë pak gjëra, – ka vijuar ai. – Nuk ishte e shkruar që të ikja jashtë, mosha tani sa vjen dhe ikën, aq më tepër që portieri është e vështirë të transferohet jashtë. Mendoj të mbyll karrierën te Partizani, mund të luaj këtu në Shqipëri 8 apo 10 vjet të tjera. Por them ta mbyll te Partizani karrierën.”
Hoxha është një prej pikave të forta të Partizanit dhe është fakt që me praninë e tij në portë skuadra e kuqe ka pësuar shumë pak gola, vetëm katër të tillë në 12 javë garë (një tjetër e ka pësuar Xhika), duke qenë portieri më efikas i Kategorisë Superiore. Roli i tij ka qenë i pamohueshëm në ecurinë e këtij sezoni të skuadrës së trajnerit Skënder Gega, që kryeson renditjen e Kategorinë Superiore, e ndjekur nga Skënderbeu.