AlbanianSport.com 17.02.2016 21:25
ASNN – Trajneri i Partizanit, Agostineli, ka sulmuar gjyqtarin në deklaratat e tij pas eliminimit të të kuqve në Kupë përballë Laçit. Ai ka qenë në fakt tepër i zemëruar në përfundim të duelit. Kjo ishte gjendja emocionale e trajnerit të Partizanit, Andrea Agostineli, ndërsa skuadra e tij u eliminua nga Kupa e Shqipërisë, brenda në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet.
Nën presion të madh pas rezultateve jo shumë të mira, dhe jashtë nga veprimtarie e dytë më e rëndësishme e futbollit në vend, italiani nuk i kurseu akuzat. “Në futboll ka rregulla dhe, nëse rregullat nuk respektohen, pra nuk merren vendimet e duhura, duke na penalizuar, atëherë nuk kemi ç’të bëjmë”, – ka thënë ai pas fitores minimale që nuk mjaftoi për të përmbysur humbje 0-2 në ndeshjen e parë.
“Paraqitje më të mirë se kaq nuk mund të bënim, – ka vijuar ai. – Nuk dua të flas më shumë se kaq, shikojeni vetë. Sot na anuluan gol. Me Flamurtarin, topi kaloi gjysmë metri vijën fatale, por golin nuk na e dhanë. Mesa duket ky Partizan po shkakton frikë, ndryshe nuk ka si shpjegohet.” Besohet se Agostineli është në rrezik të shkarkohet, tanimë që objektivat duken larg.
Mos vallë është i pakënaqur nga futbollistët e tij? “Jo, unë jam shumë i kënaqur, – ka thënë italiani i të kuqve. – Nëse skuadra bën në çdo ndeshje këtë që bëri ndaj Laçit, ne nuk kemi frikë nga askush. Bëmë një ndeshje të madhe, ndonëse për fat të keq humbëm shumë raste për gol, goditëm shtyllat. Meritonim shumë më tepër se kaq nga kjo sfidë.”
Kategoria Superiore mbetet synimi i vetëm për kryeqytetasit, por që nuk do ta kenë për disa kohë Mazrekajn, njërin nga lojtarët më të rëndësishëm. Agostineli thotë se kosovari është i dëmtuar. Në vend të Partizanit, në Kupë do të vazhdojë Laçi, mbajtës në fuqi i këtij trofeu. Ndërsa homologu i tij, trajneri i kurbinasve, Stavri Nica, ka qenë shumë i qetë dhe ka shijuar suksesin.