AlbanianSport.com 16.01.2016 15:15
ASNN – Ditët e fundit, Partizani ka fituar 1-0 në një miqësore me Teutën, pas golit të realizuar nga Mazrekaj. Një ndeshje mjaft e fortë kjo, ku të dy trajnerët Andrea Agostineli dhe Gugash Magani kanë testuar mjaft lojtarë të cilët janë ende në provë. Ndeshja ka qenë e fortë, teksa Partizani ka qenë më këmbëngulës në portën durrsake. Në fund të takimit trajneri i Partizanit ka qenë i pakënaqur me rastet e humbura nga futbollistët e skuadrës së tij.
“Futbollistët luajtën mirë në përgjithësi, – deklaroi trajneri italian i të kuqve. “U mërzita pak se lojtarët shpërdoruan disa raste për shënim, – vijoi Agostineli. – U dhamë hapësirë aktivizimi të gjithë lojtarëve për të treguar vlerat e tyre në mënyrë që të bindin stafin drejtues nëse duhet të qëndrojnë në ekip apo jo. Kam mbajtur shënimet e mia për secilin dhe më pas me klubin do të vendosim se çfarë do të bëjmë edhe sa i përket gjendjes, edhe sa i përket merkatos.
Me një gol të realizuar nga Mazrekaj, Partizani ka fituar 1-0 miqësoren ndaj Teutës, e cila u zhvillua në Stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës. Të dy trajnerët respektivë, Agostineli i Partizanit dhe Magani i Teutës u kanë dhënë një tjetër mundësi aktivizimi lojtarëve të cilët janë ende në provë. Loja ka qenë e fortë teksa lojtarët kërkonin të jepnin maksimumin për të bindur trajnerët për cilësitë e tyre.
Megjithë përpjekjet e të dyja skuadrave, pjesa e parë është mbyllur në barazim pa gola. Në pjesën e dytë Agostineli dhe Magani bëjnë shumë zëvendësime, ndërsa Partizani tregohet më kërkues ndaj golit. Në minutën e 54-t, është Mazrekaj që finalizon një sulm me shumë pasime të skuadrës kryeqytetase.