Gjergj Vyshka 04.02.2016 21:20
Qeveria Shqiptare ka vendosur dje që Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” ta heqë nga vetja dhe t’ia kalojë nën administrim Bashkisë së Tiranës. Në fakt bëhet fjalë për SH.A “Qendra Sportive”, e cila ka qenë me 100 % kapital shtetëror dhe nën administrimin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
I kthyer nga gangrenë dhe në mosplotësimin e kushteve infrastrukturore, aq sa nuk plotësonte asnjë kriter për ndeshjet ndërkombëtare, atëherë Pallati i Sportit “Asllan Rusi” dukej se ishte kthyer në një impiant që i merrte kot paratë shtetit, sepse në të gjithçka e hedhur ishte e shkuar dëm.
Atëherë, ndoshta edhe duke pasur më tepër mundësi, qeveria dhe kryeministri Rama ka vendosur që t’ia kalojë Bashkisë së Tiranës, e cila do ta marrë në zotërim pasi së bashku me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, por dhe atë të Brendshme të zbatojë vendimin.
E mirë, apo e keqe, pritet që situata të ndryshojë dhe Pallati i Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet të jetë plotësisht në funksion të lojërave me dorë si në arenën kombëtare, ashtu dhe atë ndërkombëtare.