Gjergj Vyshka 23.01.2015 11:45
Pas Durrësit, Tiranës, Vlorës dhe Kamzës, Paketa Nr. 4 Olimpike në fundjavën e kaluar është prezantuar dhe në Lezhë. Të paktën dhe sipas informacionit që ka shpërndarë Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar nëpërmjet faqes së saj të “Facebook”-ut, koordinatorja e marketingut, Eda Çaushi, e cila ka bërë dhe prezantimin e kësaj pakete para mësuesve të edukimit fizik, është pritur nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale të Lezhës, Bardhok Pulaj.
Ai në fjalën e tij përshëndetëse i është referuar dhe bashkëpunimeve më të mëparshme me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, i cili ka zhvilluar disa veprimtari në Lezhë. Pas shpërndarjes së kësaj pakete olimpike, mësuesit e edukimit fizik kanë shfaqur interesimin e tyre. Në këtë takim kanë marrë pjesë 48 mësues të shkollave 9-vjeçare në Lezhë, ndërsa një rol të veçantë ka pasur dhe Prek Pjetrushi, i cili është kryetari i Komitetit Olimpik Rajonal të këtij qyteti.
Në përfundim të takimit, përfaqësuesit e Drejtorisë Arsimore Rajonale të Lezhës dhe mësuesit u shprehën shumë entuziast dhe mbështeten propozimin e KOKSH për të realizuar Ditën Olimpike “Lezhë 2015” në plazhin e Shëngjinit. Kjo Ditë Olimpike, me lojëra të plazhit, do të promovojë Lojërat Mesdhetare të Plazhit “Peskara 2015”, që do të zhvillohen për herë të parë në gusht 2015. Dhe Shqipëria do të marrë pjesë në disa disiplina.