AlbanianSport.com 13.11.2014 09:45
ASNN – FIFA ka shpallur listën e 10 kandidaturave për golin më të bukur të sezonin të shkuar, apo që njihet ndryshe si Çmimi “Pushkash”, që akordon çdo vit organizmi që qeveris futbollin botëror. Midis kandidatëve është edhe futbollisti me origjinë shqiptare i përfaqësueses zvicerane, Pajtim Kasami, me golin e shënuar kur luante për Fulhamin në Premier Ligën Angleze.
Futbollisti me origjinë shqiptare i përfaqësueses zvicerane, Pajtim Kasami, është kandidat për golin më të bukur të sezonin të shkuar, apo që njihet ndryshe si Çmimi “Pushkash”, që akordon çdo vit organizmi që qeveris futbollin botëror, FIFA. Në ndeshjen e 21 tetorit 2013, futbollisti që atë kohë luante me Fulhamin, finalizon në mënyrë të shkëlqyer një aksion të skuadrës së tij në ndeshjen kundër Kristal Pales.
Ai ka kontrolluar bukur me gjoks një top të gjatë, duke goditur fluturimthi dhe duke përshëndetur rrjetën. Kasami, i cili tashmë luan me skuadrën greke të Olimpiakosit, përballet me një sfidë të vështirë, pasi midis 10 golave kandidatë për këtë çmim janë disa gola mjaft të bukur të Botërorit 2014, siç është ai fluturim i Robin Van Persit ndaj Spanjës, goli e australianit Tim Kehill ndaj Holandës apo ai i kolumbianit Hames Rodrigez ndaj Uruguajit.
Fituesi i këtij çmimi do të shpallet gjatë ceremonisë së “Topit të Artë 2014”, që do të mbahet në ditët e para të janarit dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.