AlbanianSport.com 18.08.2015 22:10
ASNNN – Që pas ardhjes së Pep Guardiolës në stolin e Bajernit të Mynihut, ajo mbi “latinizmin” e rekordmenëve të Gjermanisë është tema kryesore e çdo tryeze debati futbollistik. Edhe pse pak kohë më parë dha mendimin e tij rreth Pep Guardiolës, paraardhësi ë tij, Otmar Hicfeld i është rikthyer edhe një herë argumentit më të trajtuar në javët e fundit.
I mbiquajturi “Gjenerali” ka arsyetuar bindjet e tij duke iu referuar lëvizjeve të Bajernit në merkato gjatë dy viteve të fundit. “Lojtarë si Toni Kros dhe Bastian Shvajnshtaiger janë larguar së fundmi nga Bajerni i Mynihut, – ka theksuar ai. – Nga ana tjetër, klubi nuk është munduar për t’i zëvendësuar duke parë në tregun gjerman. Ata në “këmbim” morën Ksabi Alonson dhe Arturo Vidalin.”
“Për hir të Zotit, nuk dua ta vendos në diskutim klasin e këtyre dy mesfushorëve, por dua të them se Bajerni tani nuk po operon më në tregun gjerman, – ka vijuar Hitcfeldi. – Kjo është problematike.” Ish-trajneri, i cili anashkaloi faktin se 25 herë kampionët e Gjermanisë këtë sezon afruan një talent gjerman siç është Xhoshua Kimish, i cili konsiderohet si pasardhësi ideal i Bastian Shvajnshtaigerit.
Në fjalën e tij ai tregoi rrezikun që i kanosej Bajernit të Mynihut, për shkak të strategjisë së zgjedhur në merkato. “Po bëhet një trend i rrezikshëm, pasi Bajerni është duke firmosur me shumë lojtarë të huaj. Për këtë motiv është harruar disi mentaliteti gjerman”, – tha trajneri, i cili e udhëhoqi ekipin bavarez drejt triumfit të katërt në Ligën e Kampioneve në 2011.
Deri më tani në Bundesligë prej 518 futbollistëve (të regjistruar nga 18 ekipet e kësaj kategorie) plot 252 janë lojtarë të huaj. Ndërsa Bajerni, prej 29 futbollistëve të regjistruar, ka 16 lojtarë të huaj (skuadra me më shumë të huaj në Gjermani janë Hamburgu me 18 dhe Volfsburgu e Leverkuseni me nga 17). Përveç kësaj teme, “Gjenerali” akuzoi drejtuesit e Bajernit të Mynihut edhe për mënyrën sesi kanë menaxhuar një talent si Mario Gëce.
“Ata nuk i kanë dhënë besim Mario Gëces. Nëse do të ishte e kundërta, atëherë nuk do të kishin blerë Doglas Kostën, – tha 66- vjeçari. – Nuk jam i mendimit se në Bavari po punojnë për t’u shpallur për herë të katërt radhazi kampionë. Ky nuk është një objektiv për ata. Ky është një detyrim. Unë mendoj se ata dëshirojnë Ligën e Kampioneve. Është ky objektivi i vërtetë i Bajernit në sezon.”