AlbanianSport.com 13.10.2014 18:45
ASNN – Nën drejtimin e trajnerit vlonjat, Albert Haxhiraj, Orikumi është duke vazhduar përgatitjet e veta intensive për derbin me Himarën. Këto dy skuadra luajnë për herë të parë përballë njëra-tjetrës dhe e përbashkëta e këtyre është objektivi. Sepse si Himara, ashtu dhe Orikumi duan ngjitjen në Kategorinë e Parë.
Madje për këtë të fundit do të ishte historike një ngjitje e tillë. Si Himara, ashtu dhe Orikumi, këtë sezon, kanë afruar lojtarë cilësorë, të cilët do të bëjnë të mundur realizimin e objektivit, që është ngjitja në Kategorinë e Parë. Për gazetat sportive të ditës ka folur mbrojtësi i Orikumit, Realdo Azizaj.
“Përpara kemi një ndeshje shumë të vështirë, siç është ajo në fushë të huaj, teksa do të jemi përballë Himarës, – ka thënë ai. – I kemi marrë parasysh vështirësitë e këtij takimi dhe rëndësinë që ka kjo ndeshje. Dhe për rrjedhojë do të na duhet gjatë gjithë javës që të punojmë fort dhe me intensitet për të qenë sa më mirë në të gjitha aspektet.”
“Ne do të zhvillojmë lojën tonë dhe shpresojmë të marrim një rezultat pozitiv”, – ka përfunduar mbrojtësi i Orikumit, Realdo Azizaj.