AlbanianSport.com 15/10/2018 23:30
ASNN – Përfaqësuesi i fundit i Shqipërisë që vazhdon të garojë në Lojërat Olimpike Rinore, boksieri Muhamet Qamili, ka dështuar të hënën edhe në duelin e dytë në kuadër të kategorisë së peshës trupore 56 kg, duke mos arritur të shkojë në gjysmëfinale, por të kënaqet tashmë me duelin për vendin e 5-të dhe të 6-të.
Ndryshe nga dueli i tij i parë eliminator me argjentinasi Kuejo, ku boksieri shqiptar luftoi “dhëmb për dhëmb” duke u mundur vetëm me pikë, 2-3, në duelin e dytë, kundërshtari, uzbeku Abdumalik Khalokov, ka qenë i një niveli më të lartë, duke e fituar takimin me rezultatin e pastër 5-0.
Të 5 gjyqtarët iu kanë dhënë uzbekut fitoren, përkatësisht 30-27, 30-25, 30-27, 30-26 dhe 29-28. Tanimë boksieri shqiptar do të luftojë për vendin e 5-të dhe të 6-të me boksierin nga Nauru, Kriston Amran, në duelin që do të zhvillohet të enjten e 18 tetorit, në ora 13:00 me orën e Buenos Airesit (18:00 me orën e Tiranës).