AlbanianSport.com 22/01/2021 20:10
ASNN – “The Times”, publikon lajmin “Anulohet olimpiada e Tokios”. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i qeverisë japoneze. Kryeministri i Japonisë, Suga konfirmon në parlament, se Lojërat do të bëhen. Edhe presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Tomas Bah, pranon se Olimpiada do të bëhet dhe nuk ka plan B. Organizatorët e Lojërave Olimpike, “Tokio 2020”, kanë dorëzuar të premten, në qeveri një raport ku deklarojnë se Olimpiada nuk mund të bëhet dhe anulimi i kësaj veprimtarie ishte i pashmangshëm.
Por Kryeministri i Japonisë e ka kundërshtuar këtë raport, duke thënë se ai dhe qeveria e tij, ishin “të vendosur” për ta zhvilluar Olimpiadën e Tokios. Këmbëngulja e fundit e kryeministrit Joshihide Suga se Lojërat e shtyra janë në rrugën e duhur vjen pasi e përditshmja britanike, “The Times”, citoi një burim nga qeveria japoneze, pa ia përmendur emrin, duke thënë se Japonia tashmë e ka zhvendosur fokusin e saj në 2032-shin. “Unë jam i vendosur të realizoj Lojëra të sigurta në Tokio, si provë se njerëzimi do ta ketë kapërcyer virusin”, – tha Suga të premten, pa mohuar në mënyrë aktive raportin e “The Times”.
Organizatorët e “Tokio 2020”, kur u pyetën për raportin, thanë se ata ishin përqendruar në faktin nëse mund të ofrojnë Lojërave të sigurta apo jo. Shqetësimet janë rritur në lidhje me fatin e kësaj Olimpiade, teksa vendi organizatorë po lufton me një valë të tretë të infeksioneve nga virusi, me sondazhet që tregojnë se rreth 80 % e japonezëve kundërshtojnë mbajtjen e ngjarjes këtë vit. Lojërat aktualisht janë planifikuar të nisin në 23 korrik 2021. Kundër anulimit të Olimpiadës ka qenë edhe Mat Karrol, Drejtori i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik Australian.
Ai ka cituar një sërë arsyesh se pse këto lojëra nuk mund të anulohen. “Këto thashetheme të pabazuara që Lojërat e Tokios do të anulohen, krijojnë vetëm ankth për atletët tanë, – tha ai. – Lojërat në Tokio nuk kanë nisur ende, pasi flaka do të ndizet në 23 korrik 2021. Kjo është rikonfirmuar përsëri nga Kryeministri japonez, të premten në Parlament në Tokio. Sportistët që do të shkojnë në Olimpiadë, do të qëndrojnë jo më shumë se 5 ditë në fshatin olimpik para garës së tyre dhe do të largohen brenda 48 orësh pas përfundimit të konkurrimit.”
“Nuk do të jenë lojëra si në Rio ose Londër, do të jenë shumë më të thjeshta pa ceremoni madhështore, – ka vijuar zyrtari i lartë olimpik australian. – Do të jetë më e përqendruar vetëm tek garat. Do të jetë sfida më e madhe sportive me virusin. Ekziston edhe një mundësi që të gjithë pjesëmarrësit në Olimpiadë të vaksinohen para se të shkojnë në Japoni.” Edhe presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Tomas Bah, ka siguruar se Olimpiada “Tokio 2020” do të bëhet dhe se “nuk ka asnjë plan B”.