Gjergj Vyshka 06.12.2016 07:05
Shqipëria sportive dje ka filluar të jetë nën ethet e kualifikimit për në Lojërat Dimërore 2018, të cilat do të zhvillohen pas gati dy vjetësh në Pjeongçeng të Koresë së Jugut. Për këtë qëllim dje, në mjediset e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) në Tiranë, është bërë dhe nënshkrimi i marrëveshjeve për përfitimin e bursave olimpike për 3 skiatorë.
Bursa olimpike të cilat janë në vlerën e 1000 dollarëve dhe që përfitohen nga solidariteti olimpik për t’i dhënë mundësinë kandidatëve për t’u përgatitur e për t’u stërvitur në kushte të mira. E ato që kanë përfituar këtë bursë janë Erion Tola, i cili do ta ketë pjesëmarrjen e katërt në Lojërat Olimpike Dimërore për Shqipërisë, Suela Mëhilli së cilës duke i shtuar garimin në Soçi 2014 i bëhet e dyta, dhe Marsel Biçoku.
Por duke pasur parasysh që në 2017-ën do të zhvillohet dhe Kampionati Botëror i Skive, atëherë Shqipëria kërkon të jetë me 5 skiatorë të kualifikuar me normë. Në nënshkrimin e marrëveshjes së përfitimit për bursat olimpike, ku është bërë dhe firmosja nga palët, kanë marrë pjesë dhe presidenti i Komitetit Olimpike Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Skive, Shkëlqim Mema.
Mundësia e kualifikimit për në këto Lojëra Olimpike Dimërore ka nisur më 1 nëntor 2016 dhe përfundon më 28 mars 2018, sepse merren parasysh dhe pjesëmarrja në Kupat e Botës, gjë të cilën si Tola, ashtu dhe Mëhilli e kanë tashmë.