AlbanianSport.com 24/05/2020 21:40
ASNN – Ai nuk është nga ata që e kafshojnë gjuhën para se të flasin dhe, për më tepër, duke qenë se po i vuan direkt pasojat e atij vendimi, nuk e ka aspak të lehtë ta kapërdijë atë. Zhan-Mishel Olas akoma nuk e ka pranuar vendimin për pezullimin e kampionatit francez të futbollit. Presidenti i Lion nuk është përmbajtur në një prononcim për prestigjiozen “L’Equipe”, duke akuzuar autoritetet franceze për bllokimin dashakeq të futbollit.
Në fakt, skuadra e tij lufton për një vend në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve dhe, në gusht, do të zhvillohet ndeshja e kthimit e turit të 16-shes përballë Juventusit. Lion e fitoi 1-0 takimin e parë në shtëpi dhe mungesa e ndeshjeve pritet të ndikojë për keq si për të, ashtu edhe për skuadrën tjetër franceze, Paris SG-në. “Pezullimi i Ligës 1 ishte një vendim prej idiotësh të vërtetë, – ka deklaruar ai. – Është paradoksale që një shtet si Spanja, që u prek më shumë se Franca nga virusi korona, reflektoi dhe gjeti një zgjidhje.”
“UEFA kërkoi të kishim durim dhe na dha një protokoll sanitar, të cilin as nuk e shikuam fare, – ka vajtuar Olasi, duke folur për median në fjalë. – Ky është një skandal absolut. Kur shohim që drejtuesit tanë morën pjesë në Asamblenë e klubeve franceze, duke nxjerrë përfundime të ndryshme, themi se ne me të vërtetë u treguam idiotë. Do t’i kemi këmbët e lidhura dhe kokën e ndarë në ndeshjen ndaj Juventusit“, – përfundoi Presidenti i Lionit.