Gjergj Vyshka 19.02.2015 10:55
Veleçiku i Koplikut nuk e gjeti stadiumin as të mërkurën, të paktën kjo edhe sipas kërkesës së Federatës Shqiptare të Futbollit, për të zhvilluar ndeshjen e javës së 14-të me Adën e Velipojës. Në të tilla kushte, Sipas faqes së KF Ada, faqja zyrtare në “Facebook”, velipojakët janë në pritje të marrjes së 3-pikëshit në “tavolinë”, ndërsa Komisioni i Disiplinës do të mblidhet sot.
“Në kushtet kur Veleçiku do të presë këtë javë Mamurrasin, ndërsa përsëri do ta ketë të vështirë të gjejë stadium, atëherë shpresojmë që Federata Shqiptare e Futbollit të zbatojë rregulloren”, – kanë thënë drejtuesit e Adës. Ndërkohë duhet bërë e ditur se më 14 dhjetor të vitit të kaluar, Veleçiku edhe pse ishte pritës në “Selman Stërmasi” me Kamzën nuk erdhi të luante dhe e humbi ndeshjen në “tavolinë”.
Nëse ndodh dhe këtë herë, apo dhe ndaj Mamurrasit, atëherë i bie që automatikisht Veleçiku të jetë i përjashtuar nga kampionati. Që do të thotë i rënë në Kategorinë e Dytë. Kurse Ada duke shpresuar që të marrë 3-pikëshin, gjithnjë nëse Veleçiku do të përjashtohet nga kampionati, atëherë do të luftojë të mos shkojë në Play-out me të dytën e grupit të Jugut në Kategorinë e Dytë.
Megjithatë vendimtare për Adën, në kushtet kur Veleçiku nuk e gjeti stadiumin (Federata nuk ia miratoi fushën në Koplik, edhe pse po vendoseshin ndenjëset, sepse nuk plotësoheshin standardet) është marrja e 3-pikëshit në “tavolinë” nga Komisioni i Disiplinës sot.