AlbanianSport.com 12.12.2016 20:25
ASNN – Ndonëse janë dashur afro 3 orë pritje dhe një formulë zbulimi disi e çuditshme e shpalljes së fituesit nga ana e revistës prestigjioze “Francë Futboll”, tanimë edhe enigma më e madhe e vitit në futboll është zgjidhur. Kristiano Ronaldo është fituesi i edicionit të 61-të të “Topit të Artë”, duke u bërë kështu futbollisti i dytë që e fiton më shumë këtë çmim prestigjioz.
Portugezi e ka fituar këtë çmim 4 herë, një më pak se rivali i tij argjentinas, Lionel Mesi. Në atë që ishte një rikthimi në formatin historik, pas disa vitesh “bashkëpunim” me FIFA-n, “Topi i Artë” për vitin 2016 u vendos nga votat e gazetarëve sportivë, bashkëpunëtorë të revistës prestigjioze “Francë Futboll”.
Kristiano Ronaldo ka patur një 2016 të jashtëzakonshme, duke shënuar plot 48 gola për klubin e tij dhe për përfaqësuesen e Portugalisë. Gjatë këtij viti ai shënoi 11-metërshin që i dhuroi Realit të Madridit trofeun e Ligës së Kampioneve, si dhe fitoi titullin e kampionit të Evropës me Portugalinë, ndonëse ai u dëmtua dhe nuk mundi ta ndihmonte përfaqësuesen e tij në triumfin në finale ndaj Francës vendase.