Gjergj Vyshka 12.03.2016 09:35
Të dyja skuadrat, në ndeshjet e tyre gjysmëfinale që nuk kanë shkuar më shumë se sa një orë, kanë fituar me të njëjtin rezultat 3-0 ndaj Vllaznisë dhe Teutës. Sot përballja e rivalëve të përhershëm. Kupa e Shqipërisë në volejboll për femra, të paktën në turin gjysmëfinal, nuk ka pasur asnjë surprizë.
E “gozhduar” në sallën Nr. 2 të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” jashtë çdo rregullore të veprimtarive të rëndësishme të këtij niveli, sepse drejtuesit nuk arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët me basketbollin, apo të ulen e të bisedojnë me homologët e tyre të koshit, volejbolli i femrave dje e ka parë veten si një gjë e rëndomtë.
Pak niveli që lë shumë për të dëshiruar, aq sa si Barleti Volej, ashtu dhe Tirana kanë kaluar në finale si të ishin në një seancë stërvitore, por dhe luajtja në sallën 2, që gjithsesi ka mbledhur kureshtarë, e kanë bërë Kupën e Shqipërisë në volejboll për femra një veprimtari sa për të kaluar radhën.
U krye dhe kjo duhet të jetë e rëndësishme për Federatën Shqiptare të Volejbollit, ndërsa sot në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” do të ketë edhe vëmendjen e kamerave të Radio-Televizionit Shqiptar, që do ta sjellë atë drejtpërdrejt në kanalin e dytë, TVSH 2, dhe në RTSH Sport në platformën dixhitale.
Kupa e Shqipërisë
Volejboll – Femra
Kalendari i fazës finale:
(11-12 mars 2016)
Të premten:
Barleti Volej – Vllaznia 3-0
Tirana – Teuta 3-0
Të shtunën:
Për vendet 3-4:
Vllaznia – Teuta ora 15:00
Finalja:
Barleti Volej – Tirana ora 17:00