Gjergj Vyshka 12.08.2016 15:15
I pari në baterinë e parë eliminatore dhe i 41-ti në renditjen e përgjithshme, ndërsa me kohën 22”80 ka thyer rekordin kombëtar të 50 metra stil i lirë. I ati i notarit: “Për të paaftët ka vetëm një fjalë, dorëheqje”. Në një mesazh të gjatë për gazetën “Sport Ekspres”, i ati i notarit Sidni Hoxha ka rrëfyer të vërtetën e normave të arritura nga i biri, që në fakt Federata Shqiptare e Notit thotë se janë vetëm dy ftesa.
“Sidni, – thotë i ati, – ka realizuar dy norma B kualifikimi dhe kur regjistrohesh në një garë në Lojërat Olimpike në mbledhjen teknike mund të shtosh dhe garën e dytë. Në 100 metra stil i lirë janë regjistruar pa normë dhe me kohë më të keqe se Sidni, notarët Strishioti, Luks, Kalontariev, Ziv Isr dhe Rajan Shane. Por dhe disa të tjerë. Pra të tjerët e kanë shtuar një garë se kanë qenë në mbledhjen teknike”.
Duke vijuar më tutje, Shpëtim Hoxha do të sillte dhe rastin e Erion Tolës në Lojërat Olimpike Dimërore në Soçi 2014. “Për skiatorin tonë Tola është bërë e njëjta gjë në Lojërat Olimpike pasi ishte pjesëmarrës në Soçi dhe u shtuar në Super Gjigant, – ka thënë trajneri i rekordmenit shqiptar të notit. – Prandaj për të paaftit dhe arrogantët ka vetëm një shpëtim: Dorëheqje!.”