AlbanianSport.com 08.08.2015 18:45
ASNN – Rusia nuk e njeh Republikën e Kosovës, por kur në diskutim është sporti, ajo po dorëzohet përballë realitetit. Kjo për arsye se Kosova po merr pjesë me të drejta të barabarta me shtetet tjera në Botërorin e notit që po mbahet në Kazan të Rusisë, ku nuk mungon as flamuri shtetëror i Kosovës. Konkurrentët kosovarë kanë udhëtuar me pasaporta të Kosovës, edhe pse Rusia nuk i njeh as ato dokumente.
Kështu, sporti ka treguar edhe një herë tjetër se është i aftë të kapërcejë barrierat politike dhe rasti më i fundit vjen nga Rusia, e cila vetëm një javë më parë është detyruar t’u hapë dritën jeshile pjesëmarrjes së sportistëve kosovarë në veprimtaritë ndërkombëtare që zhvillohen në tokën e saj. Një gjë e tillë u konfirmua zyrtarisht edhe nga Ambasada e Rusisë në Beograd.
Ambasada ruse në Beograd pati bërë të ditur se me pasaportën e Kosovës hyrja në Rusi është e mundshme vetëm në rast të ngjarjeve ndërkombëtare të cilat i organizojnë organizatat ndërkombëtare, anëtare ose pjesëmarrëse e të cilave është Kosova. Rusia, sikundër dhe disa vende që s’e kanë njohur Kosovën, japin viza në formë të formularëve specialë të futur në pasaportën kosovare dhe vula hyrëse në kalim të kufirit rus nuk vihet.
“Hyrja me pasaportat e të ashtuquajturës “Republikë e Kosovës” në territorin Rusisë është i mundur vetëm në rastet që bazohen në respektimin e detyrimeve ndërkombëtare të Rusisë, në cilësinë e palës pranuese të ngjarjeve që organizohen përmes strukturave multilaterale, anëtare ose pjesëmarrëse e të cilave është e ashtuquajtura “Republikë e Kosovës”, si dhe për shkak të sigurimit të pjesëmarrjes së përfaqësuesve të saj në ngjarjet sportive, të cilat mbahen në territorin e Rusisë nën përkujdesjen e Komitetit Ndërkombëtar Olimpik ose të federatave përkatëse ndërkombëtare sportive”, – pati thënë ka thënë ambasada.
Ambasada ruse në Beograd pati shtuar se kjo procedurë i përgjigjet praktikës serbe të trajtimit të dokumenteve kosovare dhe është futur në përdorim me dijeni të palës serbe e cila ka qenë e njoftuar për këtë. Ambasada thekson se qëndrimi i Rusisë për Kosovën nuk ka ndryshuar, por ky rast dëshmon edhe një herë tjetër se sporti është i aftë të kapërcejë barrierat politike.