Gjergj Vyshka 06.04.2015 20:45
Agim Çiraku, presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, ka falënderuar të gjithë aktorët, që bënë të mundur zhvillimin e kampionatit kombëtar të të rriturve dhe të rinjve në pishinën e mbyllur 25-metërshe. Është i kënaqur me përmirësimin e rezultateve, apo rekordet e thyera.
Por tashmë kërkon një hap më cilësor nga notarët në arenën ndërkombëtare. Sepse, sipas tij, në aktivitete tashmë lipset të shkohet me normë kualifikimi e jo më me ftesë. Ndërkohë mendon që jo gjithçka ka për të mbetur mes Tiranës e Te Stelës, të cilat ishin dhe kampionet dimërore të vitit 2015, por do të jetë dhe Teuta, e cila duket se premton një infrastruktrë moderne dhe për garat e mbyllura.
Ka qenë i kënaqur që ka pasur pranë tij presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, por dhe atë shkollës Jo publike “Nobel”, Mustafa Taçi. Madje me këtë të fundit duket se krijohet një mundësi më shumë për të pasur të tjera gara në atë pishinë, që do të thotë se nuk do të mbetet gjithçka tek ““Te Stela””.
E teksa përpara janë garat ndërkombëtare dhe kombëtare, këto të fundit kthehen në pishinë më 2-3 korrik me kampionatin e fëmijëve, presidenti Çiraku beson në gara cilësore dhe rezultate më të larta. Ja dhe intervista e tij për Gazetën “Telegraf”, të cilën AlbanianSport.com jua sjell këtu.
– Sapo ka përfunduar kampionati kombëtar i të rriturve, i kaluan pritshmëritë?
– Pritshmëritë e Federatës Shqiptare të Notit ishin të mëdha në prag të këtij kampionati. Notarët janë përgatitur gjatë gjithë sezonit dimëror për këtë garë dhe përfundimi është me rezultate shumë të mira dhe shumë rekorde kombëtare. Nuk duhet të harrojmë që konkurrenca ka qenë shumë e madhe. E mendoj se noti vjen në rritjen e nivelit të vet nga gara në garë. Më duhet të përmend notarë si Franc Aleksi, Diana Basho dhe Nikol Merizaj, që ishin më të mirët e aktivitetit. Por dhe të tjerët, të cilët i dhanë një pamje të bukur kësaj veprimtarie.
– 22 rekorde për të rritur e bashkë me të moshave 28, ku do të arrijë noti?
– Nuk janë pak për kushtet në të cilat jemi ne. Mua më kënaqin këto rezultate të përmirësuara, sepse më japin shpresë që shumë shpejt do të kemi një tjetër paraqitje të notit në vendin tonë, e pse jo dhe në nivelin ndërkombëtar. Ne shpresojmë që gjithçka të eci mirë në garat në vazhdim.
– Vazhdojnë të dominojnë Tirana dhe “Te Stela”. Kështu do të jetë dhe në vazhdim?
– Unë mendoj se do të kemi dhe një skuadër si Teuta, e cila tashmë ka krijuar dhe infrastrukturën e saj për të konkurruar denjësisht. Sepse e ka tashmë dhe një pishinë të mbyllur. Pra do të kemi më shumë skuadra me rivalitet në not, që do t’i japin një të ardhme të sigurt këtij sporti.
– Çfarë pretendoni për garat në vazhdim?
– Tashmë ne do të jemi në disa gara ndërkombëtare, qoftë në Lojërat Olimpike Evropiane, apo dhe Kampionatin Botëror të Kazanit. Tashmë ne duhet të pretendojmë që notarët tanë të shkojnë me normë kualifikimi dhe jo me ftesa. Sepse për rezultatet që kanë dhe për nivelin që tregojnë në garat e kampionatit duhet të jenë të tillë dhe në arenën ndërkombëtare. Mendoj se ne kemi mundësi për më shumë për të gjithë sportistët që kemi në dispozicion.
– Diçka për të shtuar…
– Më duhet të falënderoj sportistë e trajnerë për angazhimin e tyre. Gjyqtarët për gjithçka që dhanë në këtë kampionat. Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, i cili ishte i pranishëm këtu nëpërmjet presidentit Viron Bezhani, por dhe Shkollën “Nobel”për ambientet që ajo krijoi. Të gjithë bashkë bëmë një kampionat cilësor.