Gjergj Vyshka 08.12.2014 08:35
Dje në Doha të Katarit ka përfunduar Kampionati Botëror i notit në pishinat 25-metërshe, atje ku ka marrë pjesë dhe Shqipëria, e cila është përfaqësuar nga Diana Basho, Nikol Merizaj, Aleksandër Ngresi, Binald Mahmuti, Deni Baholli, Franc Aleksi dhe Klavio Meça. Për nivelin e notit shqiptar, teksa këto rezultate në Doha të Katarit janë shoqëruar dhe me thyerje rekordesh, rezultatet e arritura, të paktën kjo edhe sipas presidentit të Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, janë të pranueshme.
Kështu në ditën e parafundit të këtij Botërori, në stafetën 4×50 metra stil i lirë për meshkuj, Shqipëria është renditur e 13-ta mes 17 garuesve me kohën 1’45”65. Në kohë individuale rezultatet janë si më poshtë: Binald Mahmuti 26”73, Aleksandër Ngresi 27”16, Deni Baholli 26”05 dhe Klavio Meça 25”71. Më tej akoma, Diana Basho në 50 metra shpinë me kohën 35”40 do të zinte vendin e 64-t mes 71 garuesve. Në 100 metra stil i lirë, mes 162 garuesve Franc Aleksi ishte i 115-ti dhe Aleksandër Ngresi i 140-ti.
E kohët e fiksuar prej tyre janë 55”17 për Aleksin dhe 59”26 për Ngresin. Sërish Diana Basho, po këtë herë në 50 metra stil i lirë, me kohën 30”66 është e 110-ta mes 128 garuesve. Në 100 stil i përzier, Franc Aleksi me 1’03”56 është i 71-ti mes 92 garuesve, kurse Binald Mahmuti i 78-ti mes 92 pjesëmarrësve me kohën 1’05”24. Në 100 metra flutur, Diana Basho është e 64-tërta mes 68 pjesëmarrësve me kohën 1’11”79. Në 50 metra bretkosë, Deni Baholli me kohën 31”84 renditet i 86-ti mes 114 garuesve.
Ndërsa Binald Mahmuti i 98-ti mes 114 pjesëmarrësve me kohën 34”31. Në 4×50 metra e përzier, Shqipëria ka zënë vendin e 21-të mes 26 garuesve me kohën 1’51”24. Në kohë individuale rezultatet janë këto: Klavio Meça 26”31, Diana Basho 30”83, Nikol Merizaj 28”66 dhe Franc Aleksi 25”44. Duke vijuar më tej në 200 metra shpinës, Aleksandër Ngresi renditet i 57-ti mes 61 garuesve me kohën 2’26”02. Po kështu në 200 metra flutur, Franc Aleksi me kohën 2’12”90 ka zënë vendin e 49-të mes 54 garuesve, kurse Binald Mahmuti me 2’18”41 ka zënë vendin e 51-të mes 54 garuesve.
Në 200 metra stil i lirë, Diana Basho është renditur e 77-ta mes 86 garuesve me kohën 2’17”54. Dhe në fund, në stafetën 4×100 metra e përzier, Shqipëria u rendit e 22-ta me kohën 4’21”64. Në kohë individuale rezultatet janë si më poshtë: Aleksandër Ngresi 1’09”36, Deni Baholli 1’13”32, Franc Aleksi 1’01”95, Klavio Meça 57”01.