Gjergj Vyshka 07.12.2016 12:05
Dje ka ardhur rekordi i parë kombëtar në 100 metra shpinë. Kenet Libohova, një notari datëlindjes 1998, por që stërvitet në Itali, ka realizuar kohën 1’01”96. Rekordi i mëparshëm mbahej po prej tij me kohën 1’03”32. Një rekord që është dhe për të rritur dhe për të rinj. Në baterinë e dytë eliminatore, për pozicionin që ka pasur, ka qenë edhe më i miri i kuqezinjve në ditën e parë të Botërorit.
Sepse ishte i 4-ti mes 10 konkurrentëve, ndërsa në renditjen e përgjithshme është i 62-ti mes 78 garuesve. E rekordi i dytë vjen nga notari më i mirë i garave kombëtare në pishinat e mbyllura. Pikërisht i riu premtues Deni Baholli, në 100 metra bretkosë ka fiksuar kohën e re 1’05”50, ndërsa rekordin e mëparshëm e ka pasur po vetë me rezultatin 1’05”79.
Në baterinë e 3-të eliminatore është i 8-ti mes 10 pjesëmarrësve, kurse në renditjen e përgjithshme është i 79-ti mes 99 konkurrentëve. Gara e fundit e ditës së parë për notarët shqiptar në Botërorin e Kanadasë ka qenë 200 metra e përzier, atje ku Kenet Libohova ka fiksuar kohën 2’17”62, ndërsa është i 41-ti mes 68 garuesve duke mbetur kështu me plot gojën më i miri i kuqezinjve në ditën e parë të garave.
Në baterinë e dytë eliminatore është i 9-ti mes dhjetë garuesve. E në përgjithësi ajo që duhet cilësuar sukses është fakti që të gjithë arritën ta çonin deri në fund garën duke fiksuar kohët e tyre. Botërori i Kanadasë në not përfundon të dielën.