Gjergj Vyshka 07.12.2016 07:05
Dy notarët kanë qenë më të mirët e grupit në ditën e parë të garave në Uindsor, ndërsa në 100 metra shpinë dhe në 100 metra bretkosë janë fiksuar kohë të reja për notin shqiptar në pishina 25-metërshe. Kenet Libohova dhe Deni Baholli e kanë nisur pjesëmarrjen e tyre në Kampionatin Botëror të Notit në pishinat e mbyllura ose 25-metërshe me rekorde kombëtare.
Është një Kampionat Botëror, i cili është duke u zhvilluar në Uindsor të Kanadasë, dhe noti shqiptar merr pjesë me 8 sportistë. Të drejtuar nga trajneri i Tiranës, Arjan Fetishaj, notarët shqiptar Franc Aleksi, Frenc Bërdaku, Alesia Neziri, Diana Basho, Kejsi Delli, Deni Baholli, Kenet Libohova dhe Ledia Allaraj tashmë kanë nisur dje konkurrimin e tyre.
Por përtej dy rekordeve kombëtare nga Kenet Libohova dhe Deni Baholli, pjesa tjetër e garave, për shkak të nivelit që përfaqëson noti shqiptar dhe që është ende shumë larg botës, kjo dhe për mungesa të shumta qofshin këto dhe infrastrukturore, ka qenë për t’u harruar.