Gjergj Vyshka 07.06.2016 09:45
Sidni Hoxha, notari shqiptar që është kualifikuar me normë për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, pretendon se i ka rikonfirmuar këto rezultate në një pjesëmarrje të fundit në kampionatet lokale të Shteteteve të Bashkuara të Amerikës. Të paktën sipas të atit, Shpëtim Hoxha, i cili është njëkohësisht dhe trajneri i tij, Sidni ka qenë pjesëmarrës në kampionatin e Virxhinias.
Si përfaqësues i “Tajd Suiming” ai ka notuar të shtunën dhe të dielën në pishinat “Princess Ana YMCA”, pikërisht në plazhin e Virxhinias në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe, sipas të atit, në garat e tij të preferuar, 50 dhe 100 metra stil i lirë, Hoxha jo vetëm që ka dalë i pari, por me kohët që ka arritur ka rikonfirmuar dhe një herë normën B të kualifikimit për në Olimpiadë.
23”01 në 50 metra stil i lirë dhe 50”09 në 100 metra stil i lirë që janë rezultate të larta dhe rikonfirmim i asaj që Sidni ka kapur prej më shumë se një vit përpara, ndërsa së bashku me Luiza Gegën në atletikë, sportiste kjo tashmë me dy norma kualifikimi për në “Rio 2016”, janë të parët që kanë emrin e Shqipërisë në Olimpiadën braziliane. Mbetet që rezultatet e Sidnit të certifikohen ndërkombëtarisht.