Gjergj Vyshka 25.04.2015 17:00
Ideja e zhvillimit të këtij aktiviteti kishte ditë që diskutohej, ndërsa më parë presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, edhe duke qenë se është në rolin e zëvendëspresidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, kishte folur dhe me presidentin e Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku. Dhe takimi i përfaqësuesve të zonës së Puljas në not, që janë njëkohësisht dhe përfaqësues të Federatës italiane të Notit, me Çirakun është zhvilluar në mjediset e zyrës së Presidentit të Atletikës Shqiptare.
“Unë isha jo vetëm si ndërmjetës, por dhe si përfaqësues i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, apo dhe si përfaqësues i Italisë për problemet e sportit, – ka vijuar ish-atleti. – Bëhet fjalë për një veprimtari të përbashkët mes Italisë, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës për moshat 10-18 vjeç. Meqë në korrik dhe në shtator noti shqiptar ka një ngarkesë në veprimtari, teksa ka për të zhvilluar kampionatin kombëtar të fëmijëve, Kupën e Shqipërisë dhe Kampionatin e të rriturve dhe të rinjve, pa harruar këtu dhe pjesëmarrjen në veprimtari ndërkombëtare, atëherë do të gjendet një kohë tjetër për zhvillimin e kësaj veprimtarie, që mendoj se do të rrisë më tepër bashkëpunimin mes palëve.”
Madje sipas të parit të atletikës shqiptare, italianët kanë hedhur idenë e zhvillimit dhe të triatlonit (not-çiklizëm-atletikë). “Dhe ajo që do të mund ta bëjë më të bukur këtë veprimtari do të jetë ardhja e kampiones olimpike të Italisë, Federika Pelegrini, të cilën italianët e kanë premtuar. Kjo ishte në fazën e fjalëve të para, tashmë pritet që të firmoset marrëveshja dhe të caktohet data e zhvillimit të veprimtarisë, që mendoj se duhet të jetë i përvitshëm”, – ka përfunduar Ruli.