Gjergj Vyshka 06.04.2015 12:30
Franc Aleksi, jo vetëm që është kampion i disa disiplinave, por dhe rekordmen. E për rrjedhojë, për tre rekordet e tij kombëtare, ai ka marrë tre medalje, të cilat ia ka dorëzuar presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku. Por jo vetëm kaq, por ai ka marrë dhe kupën e notarit më të mirë, ndërsa është dyfish fitues, sepse është më i miri për të rinjtë, por dhe për të rriturit.
Në një prononcim për Gazetën “Telegraf”, ai ia dedikon gjithçka stërvitjes, ndërsa ka vlerësuar rivalët e tij si Binald Mahmutin dhe Deni Bahollin. “Nëse jam sot notari më i mirë i kampionatit këtë ia dedikoj stërvitshmërisë së përditshme, – ka deklaruar ai. – Dhe do të vazhdoj të stërvitem, sepse kam përpara të tjera aktivitete kombëtare e ndërkombëtare tek të cilat shpresoj të arrij të tjera rezultate të mira.”
“Më duhet të them që ka qenë një garë e vështirë, sepse ka pasur rivalitet si me Binald Mahmutin, apo dhe me Deni Bahollin. Të paktën në 1500 metra, kur dhe theva rekordin kombëtar. Në aktivitetet ndërkombëtare besoj se do të paraqitem mirë, ndërsa të paktë nga Federata Shqiptare e Notit e kam marrë premtimin që do të jem dhe në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, – ka përfunduar notari Franc Aleksi.