AlbanianSport.com 03/08/2018 16:35
ASNN – Kampionati Evropian i Notit për Të Rritur e Të Rritura, që është duke u zhvilluar në Gllasgou të Skocisë, ka nisur me rekorde kombëtare, ashtu sikurse kanë kërkuar dhe drejtuesit e Federatës Shqiptare të Notit. Pikërisht Nikol Merizaj në 50 metra stil i lirë ka dhënë kohën e re 27”21, rekord i ri kombëtar, ndërsa është një përmirësim i rezultatit me 30 të qindtat.
Rekordi i mëparshëm mbahej po nga Merizaj, e cila në Kampionatin Evropian të Budapestit, më 29 korrik kishte fiksuar kohën 27”51. Merizaj ka bërë një garë të mirë, teksa është renditur e dyta në baterinë e parë eliminatore. Por për fatin e saj të keq nuk ka mundur të vazhdojë më tej. Ndërkohë në 400 metra stil i lirë për meshkuj në baterinë e parë eliminatore, Frenc Berdaku zë vendin e 5-të me kohën 4’09”78.
Kurse Spiro Goga të 6-tin me 4’13”88. E në ditën e parë të Kampionatit Evropian të notit, që po vjen drejtpërsëdrejti dhe në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, ka qenë në 100 metra bretkosë dhe Deni Baholli, i cili dhe pse e ka përfunduar garën është skualifikuar nga gjyqtaria. Ende nuk ka hyrë në garë Franc Aleksi, ndërsa Nikol Merizaj është, deri më tani, përfaqësuesja më dinjitoze e notit shqiptar në Evropianin e Gllasgout.