Gjergj Vyshka 08.12.2016 07:55
Në Uindsor të Kanadasë është zhvilluar dita e dytë e Kampionatit Botëror të Notit në Pishinat 25-metërshe, një veprimtari që është duke u transmetuar drejtpërdrejt edhe në kanalin RTSH Sport të platformës dixhitale të transmetuesit publik. Por dita e dytë e garave nuk ka dhënë asgjë të mirë për shqiptarët.
Kështu në stafetën 4 x 50 metra të përzier për meshkuj, kombëtarja kuqezi as nuk e ka nisur garën. Ndërkohë në 100 metra stil i lirë për femra, Alesia Neziri ka realizuar kohën 1’05”33, ndërsa është renditur e 120-ta mes 132 garuesve. Në baterinë e 3-të kualifikuese të kësaj gare, Neziri ka zënë vendin e 8-të mes 10 garuesve.
Sakaq në 200 metra stil i lirë për meshkuj Franc Aleksi ka fiksuar kohën 2’01”26, ndërsa është renditur i 97-ti mes 110 garuesve. Në baterinë e tretë eliminatore, ai ka zënë vendin e 10-të midis 10 garuesve. Pritet që në vazhdim të marrin pjesën edhe notarët e tjerë në gara të tjera.