Gjergj Vyshka 05.12.2014 08:35
Kampionati Botërori i Notit në Pishinat e Mbyllura 25-metërshe, që është duke u zhvilluar në Doha të Katarit, ka dhënë jo vetëm paraqitje të mira për notarët tanë, por mbi të gjitha kanë spikatur Nikol Merizaj, Deni Baholli e Aleksandër Ngresi. Madje ky i fundit ka përmirësuar dy rekorde kombëtare për moshat 13-14 vjeç në 50 metra stil i lirë dhe 100 metra shpinë. Duke mbetur tek garat e djeshme, në stafetën 4×50 metra e përzier Shqipëria ka zënë vendin e 17-të mes 19 garuesve me kohën 1’56”86.
Në këtë stafetë Shqipëria është përfaqësuar nga Aleksandër Ngresi që ka fiksuar kohën 32”28. Deni Baholli me kohën 31”75, Franc Aleksi me kohën 27”46 dhe Klavio Meçe me kohën 25”35. Ndërkaq në 100 metra stil i lirë për femra, atje ku kanë konkurruar Nikol Merizaj dhe Diana Basho, notarja e “Te Stela”-s ka dhënë kohën më të mirë në këtë garë për shqiptarët. Merizaj, edhe duke notuar 1’01”35, ka lënë pas 23 garues, teksa është renditur e 89-ta mes 114 garuesve.
Kurse Basho, me kohën 1’05”96, është renditur në vendin e 104-t mes 114 garuesve. Në 400 metra stil i përzier, Binald Mahmuti me kohën 4’51”55 është i 43-ti mes 46 konkurrentëve. Në 50 metra stil i lirë, ndërsa Shqipëria është përfaqësuar nga Deni Baholli dhe Aleksandër Ngresi, Baholli ka pasur rezultatin më të mirë për kuqezinjtë. Me kohën 26”01 është i 135-ti mes 178 garuesve, kurse Ngresi me kohën 26”81, rekord kombëtar për Shqipërinë për 13-14 vjeç, është i 149-ti mes 178 garuesve.
Diana Basho në 50 metra flutur me kohën 32”89 renditet e 73-ta mes 87 garuesve. Po kjo notare në 100 metra e përzier, me kohën 1’17”82, është e 59-ta mes 64 garuesve. Dhe gara e fundit që ka marrë pjesë Shqipëria ka qenë stafeta 4×50 metra e përzier, meshkuj dhe femra. Kuqezinjtë janë përfaqësuar nga Ngresi, që ka fiksuar kohën 31”74, Baholli 32”22, Basho 33”13 dhe Merizaj 28”47. Dhe në total me kohën 2’05”56 janë të 26-tër mes 27 garuesve.
Që do të thotë se në ditën e dytë kanë spikatur Nikol Merizaj për femra e Deni Baholli dhe Aleksandër Ngresi për meshkuj.