AlbanianSport.com 26/08/2021 20:45
ASNN – Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të kontinentit, Liga e Kampioneve, ka hedhur të enjten në mbrëmje në Nion të Zvicrës shortin e fazës së tij më interesante, asaj të grupeve, duke përvijuar edhe disa përballje gjigandësh. Siç dihet, në këtë fazë nuk ka duele mes ekipeve nga kampionate të njëjta. Sa u përket datave të këtyre përballjeve, ndeshjet e para luhen në mesjavën e 14/15 shtatorit 2021, ndeshjet e dyta më 28/29 shtator 2021, ndeshjet e 3-ta më 19/20 tetor 2021, ndeshjet e 4-ta më 2/3 nëntor 2021, ndeshjet e 5-ta më 23/24 nëntor 2021 dhe ndeshjet e 6-ta dhe të fundit të fazës së grupeve më 7/8 dhjetor 2021.
Kjo fazë do të sjellë përplasjen e skuadrave më të pasura të Evropës, teksa Paris SG-ja dhe Mançester Siti janë pjesë e Grupit A, aty ku ndodhen edhe Lajpcigu dhe Klub Bryzhi i Belgjikës. Anglezët është finaliste e mundur sezonin e shkuar të Ligës së Kampioneve përballë Çellsit, ndërsa parisienët patën pësuar humbje në finalen e sezonit 2019-2020. Të dy skuadrat cilësohen favorite për ta fituar trofeun e këtij edicioni, sidomos Paris SG-ja, pas transferimit të Lionel Mesit dhe disa lojtarëve të tjerë me emër në futbollin evropian.
Në fakt, mund të kemi përballje të Mesit me Kristiano Ronaldon, i cili po kërkon largimin nga Juventusi para mbylljes së merkatos së verës dhe gjasat janë të mëdha që të transferohet te skuadra e Mançester Sitit. Duele të forta do të jenë edhe në Grupin B, i cili përbëhet nga Atletiko e Madridit, Liverpuli, Porto dhe Milani. Ndërkohë, Reali i Madridit do të ketë punë me Interin, Shahtjorin e Donjeckut dhe Sherifin e Tiraspolis, në kuadër të Grupit D. Kampionia në fuqi e Evropës, Çellsi, do ta nisë mbrojtjen e trofeut në Grupin H. Pjesë e këtij grupi janë edhe Juventusi, Zeniti i Shën Pjetërburgut dhe Malmoe.
Skuadra londineze e nisi sezonin 20212-2022 në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi fitoi para pak ditësh edhe Superkupën e Evropës. Ndërkaq, Bajerni i Mynihut dhe Barcelona do të përballen në kuadër të Grupit E, të cilin e përbëjnë edhe Benfika dhe Dinamo e Kievit. Bajerni e ka fituar 6 herë këtë trofe, një herë më shumë se Barcelona. Në fakt, këto dy skuadra u përballën edhe në çerekfinalen e sezonit 2019-2020, të cilën bavarezët e fituan me rezultatin historik, 8-2, përpara se ta vijonte të ngrinte lart trofeun e Ligës së Kampioneve.
Ndërkohë, finalistët e Ligës së Evropës sezonin e shkuar, Vijareali dhe Mançester Junajtid, janë pjesë e Grupit F. Spanjollët i mposhtën anglezët pas goditjeve të 11-metërshve në finalen e Ligës së Evropës, përpara se të mundej më pas përballë Çellsit në Superkupën e Evropës. Ky grup përbëhet edhe nga Atalanta e Jang Bojs të Bernës.
Shorti i sotëm ka prodhuar këto grupe:
Grupi A: Mançester Siti, Paris SG, Lajpzig, Klub Bryzh
Grupi B: Atletiko Madrid, Liverpul, Porto, Milan
Grupi C: Sporting Lisbonë, Borusia Dortmund, Ajaks, Beshiktash
Grupi D: Inter, Real Madrid, Shahtjor Donjeck, Sherif Tiraspol
Grupi E: Bajern Mynih, Barcelona, Benfika, Dinamo Kiev
Grupi F: Vilareal, Mançester Junajtid, Atalanta, Jang Bojs
Grupi G: Lilë, Sevilja, Salcburg, Volfsburg
Grupi H: Çellsi, Juventus, Zenit Shën Pjetërburg, Malmoe