AlbanianSport.com 05/01/2021 23:10
ASNN – Totenhemi mposht 2-0 Brentfordin, të mërkurën spikat derbi Mançester Junajtid- Mançester Siti. Kështu, Totenhemi është finalisti i parë i Kupës së Ligës Angleze, pasi ka fituar 2-0 të martë në mbrëmje në shtëpi ndaj Brentfordit. Tanimë, skuadra e Murinjos pret të njohë të mërkurën finalisten tjetër, që do të dalë nga derbi i Mançesterit, midis Mançester Junajtid dhe Mançester Sitit. Siç dihet, kjo veprimtari është një tjetër ekskluzivitet madhor sportiv i Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, që i ka sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt ndeshjet më të spikatura të saj, ashtu siç do të bëjë deri në finalen e madhe.
Veprimtaria e 3-të e futbollit anglez, Kupa e Ligës Angleze ka njohur të martën në mbrëmje finalisten e parë të këtij sezoni, pasi Totenhemi ka mundur 2-0 në shtëpi Brentfordin, me nga një gol të shënuar për secilën pjesë loje. Në fakt, skuadra e drejtuar nga trajneri portugez, Zhoze Murinjo, ka kaluar në epërsi pas vetëm 12 minutash lojë, me anë të Musa Sisokosë. Me epërsinë minimale të skuadrës vendase do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa fati i së dytës do të vuloset nga episodi i minutës së 62-të, kur goli i barazimit, i shënuar nga miqtë nga Tonej, u anulua nga Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), për një pozicion milimetrik jashtëloje.
Kjo do t’i japë zemër Totenhemit, që gjen golin e dytë 8 minuta më pas me anë të koreanojugorit Hung Min Son. Megjithëse ka patur raste për gola të tjerë, skuadra e Murinjos ka fituar me shifrat 2-0 dhe tanimë pret të njohë të mërkurën finalisten tjetër, që do të dalë nga derbi i Mançesterit, midis Mançester Junajtid dhe Mançester Sitit. Siç dihet, kjo veprimtari është një tjetër ekskluzivitet madhor sportiv i Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, që i ka sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt ndeshjet më të spikatura të kësaj veprimtarie, ashtu siç do të bëjë deri në finalen e madhe.