AlbanianSport.com 22/12/2020 23:45
ASNN – Brentfordi shtang Njukasëll Junajtid, Mançester Siti shpartallon Arsenalin. Transmetimet e mëdha sportive rikthehen në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar dhe në mesjavë Kupa e Ligës Angleze, e cila ka arritur në fazën e saj çerekfinale. Transmetuesi publik do t’i sjellë për sportdashësit të 4 sfidat që premtojnë spektakël dhe dy prej tyre janë luajtur të martën. Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar po sjell për sportdashësit drejtpërdrejt ndeshjet më të spikatura të dy prej veprimtarive të vendeve kryesore të Evropës, siç është Anglia dhe Gjermania.
Natyrisht, spikat Kupa e Ligës Angleze, e cila ka arritur në fazën e saj çerekfinale dhe transmetuesi publik ka sjellë të martën dy sfidat e para të çerekfinaleve. Gjithçka ka nisur me përballjen midis të papriturës së kësaj veprimtarie, Brentfordit, që ka pritur në fushën e vet Njukasëll Junajtid. Kjo ndeshje, që u transmetua në kanalin RTSH 3 të platformës së Radio-Televizionit Shqiptar, ka dhuruar një rezultat të papritur, sepse skuadra vendase, që militon në nivelin e dytë të kampionatit anglez të futbollit, ka fituar me një gol të vetëm, të shënuar në pjesën e dytë.
Ndërkaq, po të martën, duke nisur nga ora 21:00, në kanalin RTSH Sport, ka ardhur superdueli Arsenal-Mançester Siti, që është fituar nga miqtë me rezultatin e thellë 4-1. Miqtë kanë kaluar në epërsi pas vetëm 3 minutash lojë, me anë të Gabriel Zhezusit. Por Arsenali do të barazojë shifrat pas një gjysmëore lojë, me anë të Lakazetës. Në barazim 1-1 do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat do të vendosen praktikisht nga gabimi i portierit të Arsenalit, Runarson, që i dhuron golin Rijad Mahrezit në minutën e 55-të.
4 minuta më pas, Fil Foden përfiton nga tulatja e vendasve dhe gjen edhe golin e 3-të të miqve. Fati i ndeshjes do të vuloset përfundimisht në minutën e 73-të, kur Ajmerik Laporte shënon edhe golin e 4-t të Mançester Sitit, që shkon kështu në gjysmëfinale. Të mërkurën luhen dy takimet e tjera që do të vijnë të dyja në kanalin RTSH Sport të platformës së transmetuesit publik. Në përballjen e parë, që nis në ora 18:30, e papritura tjetër e këtyre çerekfinaleve, Stouk Siti sfidon Tohenhemin e trajnerit Zhoze Murinjo, që sigurisht e synon këtë trofe si ngushëllim për një sezon që ka nisur mirë, por është karakterizuar nga luhatje në kampionat.
Ndërsa në mbrëmje, duke nisur nga ora 21:00, do të vijë drejtpërdrejt dueli mjaft interesant midis Evertonit dhe Mançester Junajtid, dy skuadrat që hëpërhë ndajnë vendin e 3-të dhe të 4-t. Për vendasit e trajnerit Karlo Ançeloti, sezoni ka nisur mirë, por më pas ekipi nisi të shkasë poshtë në renditje, ndërsa e kundërta ka ndodhur me “Djajtë e kuq” të homologut Ole Gunnar Solskjaer, të cilët kanë njohur rritje në lojën e tyre dhe, përtej eliminimit nga Liga e Kampioneve, mbeten në luftë për trofe në të gjitha frontet e tjera. Me pak fjalë, fundjava premton emocione që vetëm futbolli anglez mund t’i falë…