AlbanianSport.com 06/03/2024 23:00
ASNN – Reali, mes drithërimash në çerekfinale. Lajpcigu kërcënoi të bënte surprizën, por nuk shkoi dot më larg se 1-1 në Madrid. Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të Evropës, Liga e Kampioneve, është rikthyer të mërkurën në ekranin e Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar me sfidën midis Realit të Madridit dhe Lajpcigut. Pasi ka njohur të martën dy çerekfinalistet e para, Bajernin e Mynihut dhe Paris SG, Liga e Kampioneve ka njohur të mërkurën edhe dy të tjera, pasi janë luajtur takimet e kthimit të dy çifteve të tjera të turit të 16-shes.
Dhe sfida e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt ka qenë ajo që u luajtur në Stadiumin “Santiago Bernabeu”, midis Realit të Madridit dhe Lajpcigut. Ashtu sikundër kishte paralajmëruar edhe trajneri Marko Roze, edhe pse e kishte humbur minimalisht ndeshjen e parë në fushën e vet, skuadra gjermane ka luajtur si e barabartë në Madrid përballë vendasve, duke i vënë jo pak në vështirësi. Megjithatë, pjesa e parë është mbyllur me rrjeta të paprekura, ndërsa ajo e dyta do të vijojë me të njëjtën tablo.
Megjithatë, Reali i Madridit do të kalojë i pari në epërsi, pas një aksioni të bukur, të finalizuar nga Vinisius Zhunjor në minutën e 65-të. Por gjermanët reagojnë dhe barazojnë shifrat pas vetëm 3 minutash lojë, me anë të Orbanit. Edhe pse Lajpcigu do të luftojë fort, duke e mbizotëruar lojën ndaj vendasve, teksa kanë goditur edhe shtyllën horizontale të portës së madrilenëve, nuk ka më gola deri në fund dhe Reali i Madridit siguron barazimin 1-1, që e kualifikoi për në çerekfinale. Aty ku është kualifikuar të mërkurën edhe Mançester Siti, që ka përsëritur fitoren e ndeshjes së parë, 3-1, edhe në ndeshjen e kthimit në Angli ndaj FC Kopenhagës.