Nga Emirjon Senja* 22.04.2016 07:05
Kur dikush fton një të njohurin e tij për kafe dhe qëllimi nuk është kafja, por sajdisja me një mijë e një të mirat nën emrin “kafe” me pije të shtrenjta e gosti të tjera, në gjuhën popullore ajo quhet “kafe me bisht”. I tillë duket të jetë edhe stadiumi i ri “Arena Kombëtare” që do të ndërtohet në vend të Stadiumit aktual Kombëtar “Qemal Stafa” në Tiranë.
Federata Shqiptare e Futbollit prezantoi sot projektin për stadiumin e ri, i cili do të ketë një kapacitet prej 22-mijë vendesh (!) dhe do të ofrojë një mori shërbimesh të tjera duke u bërë një qendër multifunksionale përgjatë gjithë ditëve të javës dhe jo vetëm kur ka ndeshje futbolli.
Por, si shumë projekte të tjera që mbulohen me perden e nevojës së komunitetit dhe patriotizëm edhe projekti i stadiumit të ri nuk kishte se si të mos shoqërohej me një surprizë, ose e thënë ndryshe, me një “bisht”. Siç duket edhe në foto, nën pjesën veri-perëndimore të tij është projektuar të ndërtohet një kullë 22 apo 27-katëshe, si rrallë herë është parë në stadiumet e tjerë moderne të ndërtuara gjatë viteve të fundit nëpër botë.
Nuk janë dhënë shumë detaje mbi këtë kullë, por duke parë mënyrën se si po ndërtohet ky stadium i kombëtares, ku buxheti i shtetit nuk po shpenzon asnjë lek dhe gati 80 % e investimit do të bëhet nga privatët nën sloganin e “3 P”-ve, “Partneritet Publik-Privat”, duket se “bishti” do të jetë në shërbim te investitorit. Nuk është qartësuar ende se çfarë parashikon marrëveshja mes FSHF-së dhe kompanisë/ve private, emri i së cilës nuk është zbardhur ende, por është më se e kuptueshme që kulla në fjalë ka qenë elementi kryesor joshës për të investuar në këtë vend.
E kush nuk do ta donte një leje ndërtimi në zonën më të shtrenjtë të Tiranës duke pasur në shërbim një super strukturë si stadiumi në fjalë, e cila i ofron një klientele të rregullt qoftë edhe nëse bëhet fjalë për të investuar dhjetëra milionë euro?!
Stadium është bëma e fundit ndër këto 25 vite ku mjaft marrëveshje të dyshimta janë lidhur dhe realizuar nën hijen e patriotizmit. Shembulli me flagrant dhe që të vjen ndërmend menjëherë është ai i Rrugës së Kombit, e cila u nis për t’u ndërtuar me një vlerë të parashikuar prej rreth 800-850 milionë euro dhe përfundoi me 1.4 miliardë euro.
Kjo rrugë nuk është përfunduar ende dhe segment Kukës-Morinë është tepër i rrezikshëm, pasi ata që nuk e njohin mund të përfundojnë në humnerë për shkak se në të gjitha urat e kësaj pjese mund te kalohet vetëm në një krah.
* Botuar në Albeu.com. Ribotohet në AlbanianSport.com me lejen e autorit